Një 76-vjeçar, i shtruar në Klinikën Infektive dhe i trajtuar në repartin e kujdesit intensiv, ka ndërruar jetë si pasojë e etheve të Nilit Perëndimor. Ky është rasti i katërt fatal i regjistruar nga ky infeksion. Aktualisht, në kujdesin intensiv po trajtohen pesë pacientë në gjendje të rëndë, ndërsa disa prej tyre janë të lidhur me ventilim mekanik.
Të lidhura
None found
Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, bëri të ditur se pacienti kishte qëndruar 27 ditë i hospitalizuar. Gjendja e tij ishte rënduar nga sëmundjet serioze shoqëruese, si dhe nga forma e rëndë neuroinvazive e encefalitit dhe meningitit, çka çoi në fatalitet gjatë orëve të vona të pasdites.
Numri i pacientëve të shtruar në Klinikën Infektive është 20. Prej tyre, 18 raste janë konfirmuar përmes analizave laboratorike, ndërsa dy të tjerë vazhdojnë të konsiderohen klinikisht të dyshuar.
Mes pacientëve ndodhet edhe një 24-vjeçar nga komuna Qendër. Ulja e moshës së personave të diagnostikuar me ethet e Nilit Perëndimor mbetet një zhvillim shqetësues.
Dr. Cana njoftoi gjithashtu se pacientja 25-vjeçare, e cila deri më tani trajtohej si rast klinikisht i dyshuar, është konfirmuar me formën neuroinvazive të infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor. Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar është shtruar edhe një pacient 24-vjeçar, i cili aktualisht klasifikohet si rast i dyshuar. Sipas tij, gjatë ditës së sotme ose të nesërme pritet të vlerësohet nëse edhe ky pacient do të konfirmohet me diagnozën klinike.
Të gjithë pacientët e hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive paraqiten me formën neuroinvazive të sëmundjes. Kjo formë më e rëndë zhvillohet vetëm te 1% e personave të infektuar, sipas statistikave të bëra të ditura nga Cana.
Pacientët në gjendje kritike janë kryesisht mbi 60 vjeç dhe vuajnë nga komorbiditete të shumta. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin masat e rekomanduara për mbrojtjen personale, pasi piku i epidemive të tilla pritet deri në fund të këtij muaji dhe gjatë shtatorit./INA/
