Paketa më e fundit e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Bjellorusisë së drejtuar nga Aleksandar Lukashenko ka marrë mbështetjen zyrtare të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe gjashtë shteteve të tjera evropiane që nuk janë pjesë e BE-së.
Të lidhura
None found
Në mesin e vendeve që do t’i përshtatin politikat e tyre kombëtare me vendimet e Këshillit të BE-së, të miratuara gjatë muajit korrik, janë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Ukraina, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, përcjell INA.
Vendimet e reja të Brukselit sjellin kufizime të zgjeruara ndaj mallrave dhe teknologjive që mund të përdoren për forcimin e kapaciteteve ushtarake, teknologjike, mbrojtëse dhe të sigurisë së Bjellorusisë.
Masat përfshijnë gjithashtu kontrolle të reja mbi importin e produkteve që mund t’i krijojnë Minskut burime alternative të të ardhurave. Në paketë është përfshirë edhe zgjerimi i kufizimeve për përfshirjen e Bjellorusisë në kompani të mjeteve-kripto (kriptomonedhave) me seli në BE.
Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, e ka mirëpritur vendimin e tetë shteteve evropiane jashtë bllokut për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane ndaj Bjellorusisë, transmeton “Reuters”.
Bashkimi Evropian i lidh këto masa me përfshirjen e Bjellorusisë në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, por edhe me veprimet e vazhdueshme të autoriteteve bjelloruse, të cilat kanë shkaktuar kritika dhe sanksione nga komuniteti ndërkombëtar./INA/
