Sipas “The Athletic”, Endrick do të jetë pjesë e Real Madridit edhe gjatë kësaj vere, duke i dhënë fund për momentin zërave për një huazim të mundshëm. Aston Villa dhe Roma ishin përmendur si destinacione të mundshme për sulmuesin brazilian, por klubi, Jose Mourinho dhe vetë lojtari kanë vendosur që ai të vijojë karrierën në “Santiago Bernabeu”.
Të lidhura
None found
Trajneri portugez e konsideron Endrickun një alternativë të vlefshme si në krahun e djathtë, ashtu edhe në qendër të repartit ofensiv. Mourinho nuk i sheh Bernardo Silvan dhe Federico Valverden si zgjidhje të rregullta për krahun e djathtë, ndaj braziliani do të ketë mundësinë të konkurrojë për një vend në formacion.
Për minutat në dispozicion, Endrick pritet të përballet me konkurrencën e Yan Diomandes dhe Brahim Diazit. Ndërkohë, Mourinho ka nisur tashmë të vendosë rolet që lojtarët e tij do të kenë gjatë sezonit të ri.
Megjithatë, qëndrimi i brazilianit nuk është i sigurt deri në fund të sezonit. Real Madridi pritet ta rishqyrtojë situatën e tij në janar, ashtu siç ndodhi edhe sezonin e kaluar. Në rast se Endrick nuk arrin të sigurojë minuta të mjaftueshme, huazimi mund të rikthehet në diskutim.
Ky vendim i jep Endrickut shansin të luftojë për një rol në skuadrën e Mourinhos, ndërsa trajneri fiton një tjetër alternativë për skemat e repartit ofensiv. Jose Mourinho është rikthyer zyrtarisht në stolin e Real Madridit dhe ka firmosur një kontratë deri në qershor të vitit 2029.
