Një ditë pas kërkesës për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive, deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe dy përfaqësues të Aleancës janë paraqitur në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Përfaqësuesit e PDK-së dhe Aleancës kërkuan rifillimin e seancës konstituive dhe funksionalizimin e institucioneve, ndërsa drejtuan kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, deklaroi se kërkesa e tyre është elementare dhe synon funksionimin e shtetit. Ajo i bëri thirrje Kurtit që ta thërrasë seancën dhe t’i lejojë institucionet të kryejnë detyrat e tyre, duke theksuar se Kosova nuk është pronë e një lideri dhe se askush nuk mund ta mbajë peng të ardhmen e vendit. Sipas saj, pasojat po i vuajnë pacientët që presin trajtim, mjekët që punojnë në kushte të vështira, policët, zjarrfikësit, mësuesit, studentët, fermerët dhe bizneset. Kabashi-Ramaj shtoi se qytetarët po paguajnë çmimin e moslejimit të funksionalizimit të shtetit.
Edhe Aleanca paraqiti të njëjtën kërkesë për konstituimin e Kuvendit.
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se detyra e deputetëve është të paraqiten në sallën që u është besuar nga qytetarët përmes votës. Ai u përcolli qytetarëve të Kosovës dy porosi, duke nënvizuar se konstituimi i parlamentit nuk duhet të lidhet me asnjë çështje tjetër dhe se moskonstituimi i tij është i barabartë me refuzimin për të hedhur hapin e parë. Sipas Tahirit, Albin Kurti e ka penguar Kosovën ta ndërmarrë këtë hap. Ai deklaroi se Aleanca mbështet konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit, ndërsa do t’i ofrojë 7 votat e saj nëse miratohen 6 pikat e propozuara, të cilat, siç tha ai, nuk janë diskutuar asnjëherë.
