Të tjera detaje janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Ksamil, ku një 20-vjeçar francez u vra me thike nga një i ri nga Hasi. Mësohet se viktima është identifikuar si Frances Miguel Mendes, ndërsa autori i krimit është 29-vjeçari nga Hasi Sokrat Vata.
Ngjarja e rëndë që tronditi Ksamilin ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku i riu nga Franca ishte gjetur pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, pranë një lokali.
Të lidhura
None found
Sipas informacionit paraprak të Policisë, i riu dyshohet se është goditur me mjet prerës, thikë.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Ndërkohë pas konfliktit, Vata dyshohet se është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia ka nisur kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa po punohet edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është Sokrat Vata?
Emri i Sokrat Vatës, rezulton të jetë përmendur edhe më herët në një çështje penale në Angli. Në vitin 2023, ai ishte shpallur fajtor për posedim të një arme sulmuese, konkretisht një perforcuesi metalik grushti, posedim kokaine dhe drejtim automjeti pa siguracion.
Sipas të dhënave nga autoritetet britanike, më 13 prill 2024, në Kent, Vata përmbysi një automjet të klonuar që po drejtonte pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në autostradën A20, në East Malling.
Ai u largua nga vendngjarja, ndërsa në automjet u gjetën disa qese me kokainë dhe targa.
Vetëm 17 ditë më vonë, më 30 prill 2024, Vata u përfshi sërish në një ndjekje policore në Cambridge. Ai po drejtonte një Toyota RAV4 gri të raportuar të vjedhur dhe, pasi policia tentoi ta ndalonte, u largua me shpejtësi.
Ndjekja vijoi në disa rrugë të qytetit. Vata ndaloi për pak kohë për të zbritur një pasagjer dhe më pas vazhdoi drejt Clara Rackham Road, ku u largua me vrap dhe hodhi një pako me kokainë në një shkurre.
Policia e gjeti më vonë të fshehur në kopshtin e pasmë të një banese. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u zbuluan edhe targa. Vata rezultoi gjithashtu pozitiv për drejtim automjeti nën ndikimin e drogës.
