Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion të martën për të shpërndarë protestuesit në Tiranë, në ditën e tetë radhazi të protestave antiqeveritare të shoqëruara me përplasje të dhunshme.
Teksa raporton mbi situatën në Shqipëri, Associated Press, shkruan se protestave u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve, të cilët kërkojnë uljen e tarifave të studimit, rritjen e investimeve shtetërore në arsim dhe masa kundër korrupsionit në sistemin arsimor.
Të lidhura
None found
Lëvizja është bashkuar me një valë më të gjerë protestash kundër qeverisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit socialist Edi Rama.
Prej disa ditësh, protestuesit kanë hedhur gurë, flakadanë, bomba artizanale dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë. Forcat e rendit janë përgjigjur me shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa përplasjet janë përqendruar në qendër të kryeqytetit.
Rama: Dhuna nuk do të lejohet
Pas një takimi të martën me mësues dhe përfaqësues të shkollave të Tiranës, kryeministri Edi Rama i cilësoi veprimet e protestuesve të dhunshëm si përpjekje për të rrëzuar qeverinë përmes forcës.
“Një valë gurësh, një përpjekje për të përmbysur qeverinë dhe për të ndryshuar ata që janë në pushtet përmes imponimit të dhunës diçka që nuk do të lejohet kurrë, në asnjë formë dhe për asnjë arsye”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë argumentoi se shqetësimet reale të qytetarëve po shfrytëzohen nga persona që synojnë të nxisin dhunë gjatë protestave.
“Shqetësimet për koston e jetesës janë sigurisht reale. Reale janë edhe shqetësimet për një të ardhme të sigurt, strehimin dhe mundësitë më të mëdha për të ecur përpara”, u shpreh Rama, duke e përshkruar situatën si një “luftë hibride”.
Ai akuzoi gjithashtu protestuesit se po e mbajnë qytetin nën një klimë terrori dhe tha se studentët e përfshirë në protesta i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik.
Protestat dhe pakënaqësitë sociale
Sipas AP, Shqipëria është pjesë e një vale më të gjerë protestash që po përfshin disa vende evropiane, ku qytetarët shprehin pakënaqësi për rritjen e kostos së jetesës, gjendjen e shkollave, përkeqësimin e shërbimeve publike dhe krizën e strehimit.
Protesta për çmimet e banesave dhe vështirësitë për të përballuar kostot e jetesës janë zhvilluar edhe në Francë, Itali, Spanjë dhe Portugali, ndërsa aktivitete protestuese ishin planifikuar edhe në Greqi.
Në Shqipëri, demonstratat e fundit vijnë pas disa muajsh tubimesh të organizuara nga lëvizja e njohur si “Flamingo”, e cila u krijua në kundërshtim me një projekt të madh turistik luksoz në bregdetin jugor të vendit.
Protestat në Tiranë vijojnë mes kërkesave për ndryshime në arsim, kundërshtimit të korrupsionit dhe pakënaqësive më të gjera sociale, ndërsa përplasjet mes demonstruesve dhe policisë kanë shënuar përshkallëzim gjatë ditëve të fundit.






