Elon Musk bëri të ditur se po e shqyrton seriozisht mundësinë e bashkimit të Tesla-s me SpaceX-in, dy kompanitë më të mëdha që drejton.
“A mendoj se do të ishte ide e mirë? Po”, u shpreh ai të martën, në një bisedë me analistë financiarë lidhur me rezultatet tremujore të SpaceX-it.
Të lidhura
None found
Musk sqaroi se bashkimi nuk është i sigurt dhe do të kërkonte miratimin e aksionarëve. Ai tha gjithashtu se të dy kompanitë kanë ngritur komitete të posaçme për të vlerësuar këtë mundësi.
“Komitetet e posaçme ende nuk kanë rënë dakord për kushtet e ndonjë transaksioni dhe nuk ka garanci se do të arrijnë një marrëveshje”, shtoi Musk, raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai tha se, pavarësisht kësaj, sheh shumë përparësi te bashkimi dhe beson se ai mund të sjellë përfitime të mëdha.
Tesla vlerësohet në rreth 1,5 trilion dollarë, ndërsa SpaceX në 2 trilionë dollarë. Nëse realizohet, bashkimi i tyre do të ishte ndër më të mëdhenjtë në histori.
Aksionet e SpaceX-it u rritën me 8% në tregtimin pas mbylljes së bursës.
SpaceX prodhon raketa hapësinore dhe satelitë interneti për rrjetin Starlink, ndërsa po hyn edhe në tregun e shërbimeve të llogaritjes në cloud për kompani të tjera teknologjike, përfshirë Anthropic dhe Google.
Sipas rezultateve më të fundit tremujore, shërbimet e llogaritjes në cloud janë bërë segmenti më fitimprurës i kompanisë, me të ardhura prej 7,5 miliardë dollarësh. Starlink, ndërkohë, regjistroi 5,2 miliardë dollarë të ardhura.
Musk, i cili u bë trilioneri i parë në botë sipas vlerësimit të pasurisë në letra, pas hyrjes së SpaceX në tregun e aksioneve më herët gjatë këtij viti, tha se nuk është anëtar i asnjërit prej komiteteve që po shqyrtojnë bashkimin.
Ai e cilësoi veten si “palë me konflikt interesi”, pasi është drejtor ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX-it.
Sipas Musk, vendimi përfundimtar do të merret nga aksionarët. Të paktën 50% e aksionarëve të Tesla-s duhet ta miratojnë bashkimin, një kusht që ai e përshkroi si “një pengesë mjaft të lartë për t’u kapërcyer”. /Telegrafi/







