Një sulm me armë në një shkollë të mesme në jug të Filipineve përfundoi me vdekjen e dy nxënësve.
Të lidhura
None found
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari ishte nxënës i klasës së nëntë. Ai hyri në shkollë i armatosur me një pistoletë dhe një pushkë dhe hapi zjarr në një klasë, duke vrarë një nxënës që ishte një vit më i madh.
Pas të shtënave, nxënësi i dyshuar vrau veten.
Ngjarja u regjistrua në një shkollë të lidhur me Universitetin Ateneo de Zamboanga, në qytetin Zamboanga. Presidenti i universitetit, Ernald Andal, tha se situata tashmë është nën kontroll dhe se nuk ka persona të tjerë të lënduar.
“Prioriteti ynë është siguria e të gjithë nxënësve”, u shpreh ai.
Mediat lokale publikuan pamje ku shiheshin nxënës dhe prindër jashtë ambienteve të shkollës. Në vendngjarje mbërritën policia, forcat ushtarake dhe ekspertët e kriminalistikës.
Kjo është tragjedia e dytë e këtij lloji në Filipine në më pak se dy muaj. Në qershor, një sulm me armë në një shkollë publike në Tacloban City shkaktoi vdekjen e të paktën tre nxënësve dhe plagosjen e rreth 20 të tjerëve.
Raste të tilla janë të rralla në shkollat filipinase, pasi vendi zbaton rregulla të ashpra për mbajtjen e armëve. Megjithatë, armët e paligjshme vazhdojnë të jenë të pranishme.
