Federata Turke e Futbollit (TFF) ka vendosur pezullimin 45-ditor të 147 zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të klubeve, të dyshuar për shkelje të rregullave mbi bastet sportive, raporton Reuters.
Masa është marrë pas një hetimi të gjerë që përfshiu 448 zyrtarë të referuar nga federata, pasi dyshohej se kishin vendosur baste gjatë periudhës kur mbanin poste në klubet e elitës dhe të kategorisë së dytë në Turqi, përgjatë pesë viteve të fundit.
Të lidhura
None found
Për 45 ditë, personat e ndëshkuar nuk do të kenë të drejtë të ushtrojnë asnjë funksion zyrtar në futboll.
Mes zyrtarëve të pezulluar ndodhet edhe presidenti i Trabzonsporit, Ertugrul Dogan.
Për 301 zyrtarë të tjerë, procedurat disiplinore janë përfunduar pa ndëshkim, pasi bordi disiplinor konstatoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të konfirmuar shkeljet e dyshuara të lidhura me bastet.
Vendimi është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Federatës Turke të Futbollit për të parandaluar dhe luftuar shkeljet që cenojnë integritetin e garave sportive.
Më herët, në kuadër të kësaj fushate, ishin pezulluar 149 gjyqtarë dhe më shumë se 1.000 futbollistë në ligat vendase.




