Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e cilëson të drejtën e qytetarëve për të protestuar si një element thelbësor të demokracisë dhe e sheh valën e fundit të protestave si një zhvillim të rëndësishëm për vendin. Në një intervistë, ai kritikon mënyrën e përfaqësimit politik në Shqipëri dhe klasën politike të trashëguar.
Lleshaj shprehet se protestat kanë nxjerrë në pah nevojën për një ndryshim të thellë të sistemit dhe kërkon hartimin e një ligji të ri për partitë politike. Sipas tij, modeli aktual i qeverisjes dhe i funksionimit të demokracisë shqiptare duhet rishikuar nga themeli.
Të lidhura
None found
Ish-ministri socialist i përcjell një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se dorëheqja nuk duhet parë si dramë, por si një vendim që mund të merret kur “koha është pjekur”.
Sa i takon çështjes së Belinda Ballukut, Lleshaj thekson se drejtësia nuk mund të funksionojë vetëm nëse dikush vendos të dorëzohet apo të dorëzojë një person tjetër.
Zoti Lleshaj, si e komentoni valën e protestave qytetare që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama? Çfarë mendoni se i ka nxitur shqiptarët të dalin sërish në rrugë?
Protestat kanë sjellë një lëvizje të re dhe të domosdoshme në jetën publike të vendit, pas një periudhe të gjatë plogështie politike dhe shoqërore. Përmasat e tyre dëshmohen edhe nga jehona e gjerë që kanë marrë në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa në vendet demokratike parlamenti është hapësira ku veprojnë partitë politike dhe rruga u përket qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar, Shqipëria e këtyre viteve ka përjetuar të kundërtën. Partitë parlamentare kanë protestuar në rrugë, ndërsa në Kuvend kanë pasur një rol pothuajse periferik.
Këtë herë duket se po ndodh diçka normale: qytetarët janë në rrugë, ndërsa politikanët që paguhen nga taksat e tyre duket se nuk kanë më vend aty. Për më tepër, nuk është e qartë se ku ndodhen sot këta politikanë.
A mund ta përkeqësojë situatën fakti që kërkesat e protestuesve nuk po marrin përgjigje?
Politika duhet të marrë seriozisht edhe protestën e një qytetari të vetëm. Përballë njerëzve që e financojnë me taksat e tyre, ajo duhet të tregojë respekt. Ky respekt nis me dëgjimin, pa komente dhe pa përpjekje për të relativizuar atë që po kërkohet.
Është e vjetëruar përpjekja për t’i delegjitimuar protestuesit duke kërkuar motive të tjera përtej faktit se janë qytetarë që shprehin pakënaqësinë e tyre. Në fund të fundit, qeveria ka përgjegjësi edhe për garantimin e sigurisë së protestës së qytetarëve të vet.
Ajo duhet ta mbrojë protestën edhe nga ndikimet apo infiltrime të mundshme të huaja, për të cilat janë bërë shumë aludime, por pa prova. Edhe gjatë protestave dhe ngjarjeve tragjike të vitit 1997, qeveria e asaj kohe ia atribuonte me lehtësi përgjegjësinë shërbimeve të huaja, sikur të mos kishte detyrimin të mbronte vendin prej tyre.
Në rrethanat e sotme, rruga është vetëm një: protestat duhet të dëgjohen, të kuptohen dhe të mirëkuptohen.
A duhet, sipas jush, Edi Rama të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje politike?
Po të kisha ende komunikim me kryeministrin dhe po të shfaqte vullnet për të marrë një këshillë, ndoshta do t’ia kisha dhënë. Por koha ka sjellë edhe përfundimin e këtij komunikimi. Për këtë arsye, në kushtet e sotme, më takon vetëm heshtja etike dhe profesionale që lidhet me marrëdhënien e dikurshme politike me kryeministrin.
Megjithatë, bindja ime personale është se dorëheqja nuk përbën ndonjë dramë. Ajo mund të jetë një lloj bekimi që njeriu e përjeton kur momenti është pjekur. Këtë ndjesi e kam provuar vetë në vitin 2020, kur lashë detyrën e ministrit të Brendshëm, pasi njëri prej mijëra punonjësve të policisë kreu një krim në mesnatë, gjatë shërbimit në patrullë.
Çdo ditë që ka kaluar prej asaj kohe vetëm ma ka forcuar bindjen se ai vendim ishte një bekim.
Si ish-ministër i Brendshëm, si e vlerësoni mënyrën se si shteti po administron protestat e mëdha qytetare, veçanërisht në kushtet kur janë shënuar edhe raste dhune ndaj protestuesve?
Dikur, në një intervistë, më pyetën se si do të sillej policia nëse populli do të sulmonte qendrat e votimit gjatë ditës së zgjedhjeve. Përgjigjja ime ishte se policia nuk do të bënte asgjë, sepse nuk e ka mision të pengojë popullin të shprehë vullnetin e tij, cilido qoftë ai.
Kjo është edhe përgjigjja ime sot. Misioni i policisë është të garantojë zhvillimin normal të protestave. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të përballet me krimin dhe çdo shkelje të ligjit, gjithmonë duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe të vetëpërmbajtjes.
Unë e kam përmbledhur këtë qasje në atë që e quaj parimi 110. Ai nënkupton se policia duhet të reagojë një hap në kohë më vonë ndaj veprimeve të dhunshme, një nivel force më poshtë se ai me të cilin përballet dhe se bilanci i ndërhyrjes policore duhet të jetë zero viktima.
Kjo është e gjithë strategjia: 110. Policia është e qytetarëve përpara se të jetë e shtetit. Më vjen keq që nuk pata mundësi të çoja deri në fund një nismë që kisha menduar dikur për ndryshimin e emrit të saj, nga “Policia e Shtetit” në “Policia Shqiptare”. Një polici që historikisht ka qenë vetëm e shtetit duhet të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një polici të qytetarëve.
Protestuesit kërkojnë transformimin e sistemit, largimin e klasës së vjetër politike dhe ndërtimin e një Shqipërie të re, që duhet të drejtohet nga të rinjtë. Si e shihni këtë kërkesë?
Protestat kanë nxjerrë në pah problemin më themelor të Shqipërisë: konsumimin e plotë të klasës politike të trashëguar nga Partia e Punës së Shqipërisë, në formën e partive bija që ajo krijoi në fundin e ekzistencës së saj.
Ky është në të vërtetë problemi i parë dhe i fundit me të cilin duhet të merret vendi. Por, në vend që të përqendrohej te kjo çështje, protesta është shtrirë në një numër kaq të madh temash dhe propozimesh, saqë ka arritur në nivelin e kakofonisë.
Para ligjeve për investimet strategjike, zonat e mbrojtura, zgjedhjet dhe çështje të tjera të ngjashme, Shqipëria duhet të ndryshojë sistemin politik që ka prodhuar anomalitë e këtyre dekadave.
Protesta duket se po ndjek shumë objektiva njëkohësisht dhe dihet se çfarë rezultati sjell përpjekja për të goditur dy objektiva me një gur. Në bazë të legjislacionit të ndërtuar gjatë tri dekadave, Shqipëria është, de jure dhe de facto, peng i partive politike, ose më keq akoma, peng i kryetarëve të tyre.
Këta kryetarë kanë të drejtë ligjore të përcaktojnë vetë listat e kandidatëve për të cilët qytetarët shqiptarë duhet të votojnë. Si pasojë, Kuvendi është mbushur me persona të emëruar nga drejtuesit e partive parlamentare.
Kjo situatë është më shumë se alarmante. Nëse parlamenti nuk mbrohet si tempulli i demokracisë, nuk mund të mbrohet asgjë tjetër: as lagunat si “tempull” i flamingove, as pasuritë natyrore dhe as pronat publike.
Nëse protesta do të arrinte të sillte një përfitim real për shoqërinë, ai do të ishte imponimi i një ligji të ri për partitë politike. Ky ligj duhet t’u heqë atyre ekskluzivitetin e përfaqësimit dhe të vendosë standarde ligjore për zgjedhjen demokratike të kryetarëve, forumeve dhe, mbi të gjitha, të kandidatëve që partitë paraqesin në zgjedhje, ashtu siç ndodh në Europën që synojmë.
Për sa kohë qytetarët shqiptarë nuk mund ta ushtrojnë të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur pa qenë të varur nga vullneti i kryetarëve të partive politike, demokracia në Shqipëri do të mbetet vetëm një shprehje propagandistike.
Sa i përket idesë së “pushtetit të të rinjve”, do të thosha se kemi të bëjmë me një klishe që, edhe pse tingëllon bukur, mund të jetë e rrezikshme. Është e ngjashme me klisheen se gratë janë të pakorruptueshme.
Të rinjtë kanë padyshim të drejtë dhe detyrë të marrin pjesë në ndërtimin e së ardhmes së vendit, e cila është edhe e ardhmja e tyre. Por kjo nuk justifikon asnjë lloj diskriminimi mbi bazën e moshës.
Çështja nuk shtrohet si një zgjedhje mes largimit të të vjetërve dhe ardhjes së të rinjve. Në administratën shtetërore dhe në sektorin privat, njerëzit duhet të angazhohen në përputhje me aftësitë dhe kapacitetet e tyre.
Dituria dhe përvoja e “të vjetërve” nuk mund të përjashtohen vetëm për t’i hapur rrugë energjisë së “të rinjve”. Të dyja këto cilësi duhet të ndërthuren për të arritur rezultatin më të mirë.
Pas sloganeve për promovimin e të “rinjve” dhe të “grave” fshihet shpesh rreziku i keqpërdorimit të tyre. Në raste të caktuara, pikërisht mungesa e kualifikimit dhe e përvojës bëhet pika e dobët ku nisin dështimi dhe korrupsioni.
A nuk e kemi kuptuar ende se eksperimentet në këtë drejtim na kanë turpëruar në tryezat ndërkombëtare? Në jo pak raste, zyrtarë të rinj, të kuruar në pamje, por pa dije dhe përvojë të mjaftueshme, kanë lënë përshtypje shumë të keqe përballë zyrtarëve ndërkombëtarë me eksperiencë në çështjet e shtetit.
A nuk kemi kuptuar se në dështimet e shumta të këtyre dekadave ka edhe gjurmën e shumë të rinjve të promovuar vetëm për shkak të moshës, të cilët dështuan pikërisht për këtë arsye? Shqipëria ka në parlament dhe në të gjitha zyrat e shtetit një numër jashtëzakonisht të madh të rinjsh, krahasuar me vendet e tjera, por kjo nuk e ka ndihmuar vendin.
Të rinjtë duhet të kenë çdo hapësirë dhe mundësi për të treguar talentin e energjinë e tyre. Por vendosja e tyre me shpejtësi në poste që normalisht kërkojnë përvojë është e dëmshme për të gjithë.
Ndoshta do të ishte e dobishme të kuptonim domethënien e fjalës “senior” në anglisht, e cila përdoret për të përcaktuar shumë poste të larta në ekonomi, administratë dhe politikë.
Një nga kërkesat e protestuesve është edhe krijimi i një qeverie teknike me mandat njëvjeçar. Çfarë mendoni për këtë propozim?
Ky është një tjetër element që e shton kakofoninë e protestës. Një qeveri teknike do të ishte thjesht humbje kohe dhe mënyra më e mirë për ta mbyllur pa rezultat vetë protestën.
Shqipëria ka nevojë për ndryshimin rrënjësor politik që përmenda më parë: për një ligj të ri për partitë politike. Nëse kjo nuk ndodh, një qeveri teknike vetëm do t’u krijonte mundësinë kryetarëve të partive të katapultojnë në parlamentin e ardhshëm të njëjtët kamikazë politikë dhe të ndërtojnë një kopje të parlamentit aktual.
Vendi nuk ka nevojë për një cikël tjetër politik me aktorë të rinj, por për ndryshimin themelor të sistemit që prodhon parlamentin shqiptar.
Protestuesit kërkojnë edhe heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe arrestimin e saj. Përse, sipas jush, Drejtësia nuk po vepron ndaj ish-zv.kryeministres? A është bindës argumenti se PS-ja nuk po e dorëzon?
Drejtësia nuk duhet të varet nga vullneti i dikujt për të dorëzuar një person apo për t’iu dorëzuar një procesi. Nëse dorëzimi ose vetëdorëzimi janë kushte paraprake për funksionimin e drejtësisë, atëherë duket se drejtësia mungon.
A mendoni se SPAK po përdor të njëjtin standard ndaj të gjithë zyrtarëve të lartë? Çfarë do të përcillte hetimi i çdo zyrtari për të cilin ekzistojnë prova ose indicie të mjaftueshme?
Mendoj se pritshmëritë e publikut ndaj SPAK-ut janë shndërruar në një formë naiviteti dhe iluzioni të madh. SPAK-u ka detyrimin të çojë përpara drejtësisë personat që shkelin ligjin, por nuk mund të presim prej tij zgjidhjen e problemeve themelore që lidhen me mungesën e legjitimitetit demokratik të institucioneve më të larta se vetë SPAK-u.
SPAK-u nuk mund t’i japë legjitimitet apo kredibilitet një parlamenti të diskredituar. Nga ky parlament, në rastin më të mirë, dalin anekdota dhe histori qesharake për vendin, ndërsa në rastin më të keq miratohen ligje që dëmtojnë interesin publik.
Pa një parlament dinjitoz, i cili zgjidhet nga shqiptarët dhe jo nga kryetarët e partive, nuk do të mjaftonte as SPAK-u dhe as krijimi i njëmijë strukturave të tjera. Gjërat do të vazhdonin të ndiqnin të njëjtën rrjedhë.
Vijon nesër…
