Pensionistë duke shijuar rrezet e diellit dhe temperaturat e larta në parkun e Sheshit Skënderbej, në qendër të Tiranës. Qeveria Rama, ka akorduar bonusin e pranverës për pensionistët, shpërndarja e të cilit nisi të hënën, më 3 Mars 2025.
Dokumentet që shoqërojnë reformën e re territoriale të propozuar nga mazhoranca pasqyrojnë një ndarje të theksuar demografike të vendit.
Të lidhura
None found
Emigracioni dhe migrimi i brendshëm kanë boshatisur qytetet e vogla dhe zonat rurale, ndërsa banorët dhe aktiviteti ekonomik janë përqendruar në një numër të kufizuar qendrash urbane.
Një prej dokumenteve, “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0”, hartuar nga ekspertët e PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, evidenton një sërë njësish vendore me probleme të përsëritura në funksionim, ekonomi, demografi dhe financa. Këto të dhëna përdoren si argument për rikonfigurimin e hartës territoriale.
Raporti mbështetet në tre indekse, të cilat paraqesin një panoramë të polarizuar të bashkive në aspektin demografik, ekonomik dhe funksional.
Në njërin krah qëndrojnë disa qendra urbane ku grumbullohen popullsia dhe zhvillimi ekonomik, ndërsa në krahun tjetër ndodhet periferia, veçanërisht verilindja, juglindja dhe zonat malore.
Këto territore përballen me tkurrje dhe plakje të popullsisë, ekonomi mbijetese me pak vende pune formale dhe buxhete që varen nga qeveria qendrore, duke u përdorur kryesisht për pagat e administratës vendore.
Indeksi i Masës Urbane (IMU) është një nga tre analizat mbi të cilat është mbështetur propozimi për një hartë të re me 46 bashki. Sipas kësaj skeme, 15 njësi vendore do të shkrihen me bashki më të mëdha brenda të njëjtit qark.
Indeksi dokumenton ndryshimet territoriale të Shqipërisë pas viteve ’90 dhe tregon se numri i qendrave që rriten po pakësohet, ndërsa bashkitë që humbasin banorë po shtohen.
Të dhënat e përpunuara e ndajnë vendin në tre realitete: një numër shumë të vogël bashkish që vazhdojnë të tërheqin banorë dhe aktivitet ekonomik, një grup njësish me potencial të ndërmjetëm dhe pjesën më të madhe të territorit, e cila po humbet masën kritike të popullsisë.
Analiza, e bazuar në të dhënat e Censusit 2023 dhe e përfshirë në raportin teknik të reformës, sugjeron se popullsia shqiptare po mblidhet në gjithnjë e më pak qendra urbane.
Ndërkohë, pjesa tjetër e territorit po humbet banorë, funksione dhe mundësi zhvillimi. Vetëm 13 bashki klasifikohen me masë të lartë urbane, por në to jeton 62.5% e popullsisë së vendit.
Në nivel të ulët renditen 30 bashki, thuajse gjysma e hartës administrative, ku jeton vetëm 14.2% e popullsisë. Ndërsa 18 bashki bëjnë pjesë në kategorinë e ndërmjetme ose mesatare.
Kryeqyteti mbetet qendra kryesore e përqendrimit të popullsisë, me mbi gjysmë milioni banorë. Pas Tiranës, me një diferencë të konsiderueshme, renditen bashkitë Durrës, Vlorë, Elbasan, Shkodër, Fier, Kamëz dhe Berat.
Në anën e kundërt të renditjes demografike gjenden Pusteci, Libohova, Himara, Këlcyra, Memaliaj, Selenica, Dropulli, Finiqi, Delvina dhe Kolonja. Sipas indeksit, këto bashki kanë humbur peshë si në numrin e banorëve, ashtu edhe në rëndësinë urbane.
IMU nuk vlerëson vetëm madhësinë e popullsisë. Në përllogaritje përfshihen edhe dendësia reale e banimit, shpërndarja e banorëve në territor, raporti i varësisë demografike dhe niveli i urbanizimit. Për rrjedhojë, një bashki me sipërfaqe të madhe mund të konsiderohet strukturalisht e dobët nëse banorët janë përqendruar në një qytet të vogël dhe pjesa tjetër e territorit ka mbetur bosh.
Një nga përfundimet kryesore të analizës është se, mesatarisht, 57% e territorit rezulton i pabanuar. Në shkallë kombëtare, koeficienti “Gini”, i cili mat raportin e banorëve për kilometër katror, arrin në 0,86. Kjo shifër tregon përqendrimin e popullsisë në pak zona dhe boshatisjen e sipërfaqeve të mëdha të vendit.
Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në Kolonjë dhe Korçë, ku treguesi shkon në 0,97. Ndonëse këto bashki kanë shtrirje të gjerë territoriale, banorët janë përqendruar në disa zona urbane. Vlerën më të ulët e ka Bashkia e Kamzës, me 0,42, çka tregon se territori i saj është i banuar. Në përgjithësi, të dhënat dëshmojnë edhe për plakjen e popullsisë së bashkive, ndërsa rreth 57% e territorit të një bashkie rezulton mesatarisht bosh.
Raporti i varësisë, që mat barrën e fëmijëve dhe të moshuarve mbi popullsinë në moshë pune, është mbi mesataren kombëtare në shumicën e bashkive, konkretisht në 51 prej tyre. Në shumë njësi vendore, numri i të moshuarve ka kaluar atë të fëmijëve.
Edhe urbanizimi paraqitet në nivele të ulëta. Në 60 bashki, pa përfshirë Tiranën në analizë, norma mesatare është 29,8%. Për më tepër, 25 bashki nuk kanë asnjë vendbanim që plotëson kriteret për t’u klasifikuar si qytezë. Sipas këtij vlerësimi, vetëm 6 bashki mund të cilësohen qytete, 13 qyteza/periferi dhe 42 rurale.
Ky ndryshim demografik përbën një prej argumenteve të socialistëve në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale, të cilët mbështesin krijimin e një harte të re me 46 bashki.
Dokumenti i PS-së vëren se shpërndarja e popullsisë nuk është më ajo e vitit 2014, kur u miratua ndarja aktuale administrativo-territoriale, e cila synonte krijimin e bashkive më të mëdha dhe më efikase. Raporti thekson se disa zona janë zgjeruar, ndërsa të tjera kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të banorëve. Për pasojë, disa bashki hasin vështirësi në sigurimin e financave të qëndrueshme, stafit të kualifikuar dhe kapaciteteve administrative.
Raporti pranon se problematika nuk lidhet vetëm me kufijtë administrativë. Lëvizja e popullsisë drejt qendrave më të mëdha, plakja demografike, pabarazitë territoriale dhe përqendrimi ekonomik kanë ndryshuar mënyrën e funksionimit të bashkive. Në dokument nënvizohet se ndryshimi i kufijve nuk mjafton për të zgjidhur sfidat që lidhen me emigracionin, plakjen e popullsisë dhe përqendrimin ekonomik.
Socialistët kanë depozituar në Kuvend një projektligj për riorganizimin e hartës administrative-territoriale, që parashikon bashkimin e disa njësive të vogla me bashki më të mëdha. Megjithatë, propozimi nuk shpjegon se në ç’mënyrë harta e re do t’u japë zgjidhje këtyre problemeve.
Sipas propozimit, Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimal, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Prrenjasi humbasin statusin e njësive të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe bashkohen me bashkitë më të mëdha fqinje.
Plani është kundërshtuar nga banorët e këtyre zonave, të cilët kanë zhvilluar protesta. Ata shprehen se shkrirja e njësive vendore i lë jashtë mundësisë për të marrë shërbime publike.
