Amazonia mund të përballet me një periudhë veçanërisht të vështirë thatësire, pasi një episod i fuqishëm i El Niño-s pritet të arrijë kulmin në fund të vitit, në përmbyllje të sezonit të thatë.
Të lidhura
None found
Sipas shkencëtarëve, temperaturat e larta të shoqëruara me reshje të pakta dhe mungesë lagështie do të shtojnë rrezikun e zjarreve, duke përkeqësuar dëmet në pyllin tropikal.
“The Guardian” raporton se parashikimet e përmendura në material e vendosin kulmin e fenomenit mes tetorit dhe dhjetorit. Kjo është periudha kur lumenjtë e Amazonës zakonisht arrijnë nivelet më të ulëta, ndërsa bimësia bëhet më e pambrojtur përballë thatësirës.
Shqetësimi është i madh edhe për shkak të rolit të Amazonës si një prej ekosistemeve më të rëndësishme të planetit. Pylli ndikon në klimë, në qarkullimin e ujit dhe në reshjet e një pjese të konsiderueshme të Amerikës së Jugut, ndërsa bimësia e tij thith sasi të mëdha dioksidi karboni.
Agjencia meteorologjike e Brazilit ka bërë të ditur se El Niño mund të shtyjë nisjen e sezonit të shirave në Amazonë, të sjellë temperatura më të larta dhe të ulë prurjet e lumenjve.
Kjo tablo mund të favorizojë përhapjen e zjarreve. Ekspertët theksojnë se pylli, i dobësuar tashmë nga shpyllëzimi, bujqësia, aktiviteti minerar dhe ndryshimet klimatike, është më i ekspozuar ndaj nxehtësisë ekstreme dhe flakëve.
Thatësira të mëdha, ulje të nivelit të lumenjve, zjarre dhe dëme të rëndësishme në ekosistem janë regjistruar edhe gjatë tre episodeve të fuqishme të mëparshme të El Niño-s, në vitet 1997-98, 2015-16 dhe 2023-24.
Pasojat e fenomenit mund të zgjasin përtej muajve të fundit të këtij viti. Ekspertët e cituar në material vlerësojnë se ndikimi i ngrohjes së oqeanit në klimën globale mund të shfaqet me vonesë, duke bërë që kushtet e pafavorshme të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2027.
Carlos Nobre, profesor në Universitetin e São Paulos dhe një nga studiuesit kryesorë brazilianë të klimës, ka deklaruar se Amazona duhet të përgatitet për një thatësirë të rëndë të paktën deri në fillim të vitit 2027.
Edhe komunitetet indigjene kanë nisur përgatitjet për një sezon të vështirë. Në disa zona janë ngritur ekipe lokale të angazhuara për përballimin e zjarreve.
Rreziku shtrihet edhe përtej pyllit. Një periudhë e gjatë pa reshje mund të dëmtojë bujqësinë dhe blegtorinë, të përkeqësojë cilësinë e kullotave, të rrisë stresin e kafshëve nga nxehtësia dhe të shkaktojë mungesa uji.
Fermerët në Brazil po marrin masa për një sezon të vështirë, ndërsa ekspertët shprehen të shqetësuar për ndikimin që situata mund të ketë te prodhimi i sojës dhe i produkteve të tjera bujqësore.
Ndërkohë, OKB-ja ka paralajmëruar se ndikimet e El Niño-s mund të rrisin pasigurinë ushqimore për miliona njerëz në mbarë botën.
