Valeriy Kechinov, një nga figurat e njohura të Spartak Moskës, e ka vlerësuar pozitivisht transferimin e sulmuesit shqiptar Mirlind Daku, duke deklaruar se reprezentuesi i Kosovës mund të japë një kontribut të rëndësishëm për klubin rus.
Të lidhura
None found
Duke folur për Match TV, ish-futbollisti i Spartakut tha se afrimi i Dakut plotëson një nga nevojat kryesore që skuadra kishte në repartin sulmues.
Kechinov theksoi se kishte kërkuar më herët përforcimin e rolit të qendërsulmuesit dhe se blerja e Dakut e ka zgjidhur këtë çështje. Ai u shpreh i bindur se Mirlindi do të jetë një ndihmë e madhe për Spartakun.
Më 6 gusht, Daku u transferua nga Rubin Kazani te Spartak Moska për një shumë prej rreth 11 milionë eurosh.
Sa i përket rendimentit të sulmuesit kosovar, Kechinov shmangu parashikimin e një shifre konkrete golash, por deklaroi se pret statistika dukshëm më të mira nga ai në klubin e ri.
Sipas ish-sulmuesit, është e vështirë të përcaktohet saktësisht numri i golave që Daku do të realizojë, megjithatë ai beson se te Spartaku duhet të shënojë shumë më tepër sesa te Rubin Kazani.
Kechinov, i cili tani është 52 vjeç, konsiderohet një prej emrave të spikatur në historinë e Spartak Moskës.
Ai luajti me fanellën e klubit nga viti 1994 deri më 2001 dhe gjatë asaj periudhe u bë një nga figurat e rëndësishme të skuadrës.
