Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur, pas mbledhjes së grupit parlamentar, se LDK-ja heq dorë nga të gjitha kërkesat për t’u përfshirë në qeveri, përfshirë pretendimin për postin e presidentit. Kreu i partisë konfirmoi se LDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.
Të lidhura
None found
Vendimin për ndërprerjen e negociatave rreth bashkëqeverisjes e ka komentuar për “Bota sot” gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi.
Sipas vlerësimit të tij, kriza e tanishme politike është krijuar nga partitë dhe nuk ka shumë arsye për të besuar se zgjedhjet e reja do të sillnin ndonjë rezultat më të madh.

Muçiqi konsideron se LDK-ja ka ende mundësi ta përmirësojë perceptimin e saj si te votuesit e vet, ashtu edhe më gjerë, nëse e përmbush zotimin për të ndihmuar në zgjedhjen e institucioneve të reja dhe në tejkalimin e bllokadës institucionale.
Ai ka shtuar se Abdixhiku është i vetëdijshëm që një proces i ri zgjedhor mund t’i kushtojë, para së gjithash, humbjen e postit të kryetarit të LDK-së. Sipas Muçiqit, një zhvillim i tillë do të dëmtonte njëkohësisht edhe perspektivën e karrierës politike të Abdixhikut.
Duke folur në fund për sjelljen e LDK-së ndaj zhvillimeve në Kuvend, Muçiqi ka vlerësuar se qëndrimi i saj indiferent, përkatësisht mosangazhimi në përplasjet politike të shkaktuara nga PDK-ja dhe AAK-ja, ka ndikuar pozitivisht në imazhin e partisë.
Ai ka theksuar se këto ngjarje në Parlament po gjykohen dhe dënohen nga qytetarët e vendit, ndërsa LDK-ja, duke mos u përfshirë, ka shfaqur përmbajtje dhe pjekuri politike përballë situatës së momentit. Muçiqi ka përfunduar për “Bota sot” se ky qëndrim i partisë ka ndihmuar gjithashtu në ruajtjen e stabilitetit politik.
