Një studim i publikuar të enjten nga shkencëtarë amerikanë dokumenton një zhvillim të ri në shkencë: përdorimin e inteligjencës artificiale gjeneruese për projektimin e viruseve që nuk ekzistojnë në natyrë. Kjo arritje mund t’i hapë rrugë krijimit të sistemeve të plota biologjike në përmasat e gjenomit.
Të lidhura
None found
Sipas rezultateve të botuara në revistën Science, studiuesit përdorën modele gjenerative të IA-së, të trajnuara me miliona gjenome natyrore, për të ndërtuar bakteriofagë të plotë. Bëhet fjalë për viruse që infektojnë bakteret dhe janë në gjendje të shumohen brenda tyre.
Në projekt morën pjesë shkencëtarë nga Universiteti i Stanfordit dhe Instituti Arc, një organizatë jofitimprurëse me seli në Kaliforni, e përqendruar në kërkime me “rrezik të lartë dhe shpërblim të lartë”. Për procesin e projektimit, ata përdorën dy “modele të gjuhës së gjenomit”, të emërtuara Evo 1 dhe Evo 2.
Parimi i funksionimit të Evo 1 dhe Evo 2 është i ngjashëm me atë të modeleve të mëdha gjuhësore. Megjithatë, në vend të prodhimit të tekstit, këto modele parashikojnë sekuenca gjenetike. Trajnimi i tyre u mbështet në gjenomet e viruseve, baktereve dhe organizmave më kompleksë, përfshirë bimët dhe kafshët.
Ekipi sintetizoi në mënyrë kimike afro 300 gjenome, të cilat më pas iu nënshtruan testimeve laboratorike. Nga eksperimentet u krijuan 16 bakteriofagë të modifikuar artificialisht, me “sekuenca, struktura dhe profile të ndryshme përshtatshmërie”.
Testet treguan se viruset e modifikuara ishin më të efektshme në eliminimin e baktereve E coli krahasuar me viruset që gjenden natyrshëm.
Autorët e studimit shkruan se qasja e tyre e zgjeron potencialin e gjenomikës sintetike, krahas metodave si evolucioni i drejtuar dhe inxhinieria racionale. Sipas tyre, ajo përcakton një rrugë për krijimin e terapive adaptive dhe elastike me fagë kundër patogjenëve që evoluojnë me shpejtësi, si dhe vendos bazat për projektimin gjenerues të gjenomeve më të mëdha e më komplekse.
Studiuesit vlerësuan se ky hap fillestar në projektimin e gjenomeve përmes inteligjencës artificiale mund të mundësojë zhvillimin e një grupi më të gjerë mjetesh për sekuencimin dhe sintezën e gjenomit, të zbatueshme në sisteme biologjike më të mëdha dhe në trajtime. / AA.
