Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u zhvillua sot një seancë solemne për të shënuar 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Të lidhura
None found
Gjatë kësaj seance, Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, deklaroi se jubileu shërben jo vetëm për të sjellë në vëmendje të kaluarën, por edhe për të vlerësuar përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj së ardhmes së vendit.
Sali tha se Marrëveshja e Ohrit i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe krijoi një mënyrë të re të organizimit dhe funksionimit të shtetit. Sipas tij, përmes saj, stabiliteti u mbështet te bashkëpunimi mes komuniteteve, barazia qytetare dhe përfaqësimi i drejtë.
“Zgjedhjet e lira nuk janë treguesi i vetëm i demokracisë. Ajo vlerësohet edhe nga aftësia e institucioneve për të siguruar përfshirje, përfaqësim të drejtë, dialog dhe besim mes qytetarëve”, deklaroi Ministri Sali.
Zëvendëskryeministri i Parë theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk përfaqëson vetëm një dokument që i përket historisë. Ai e cilësoi atë si pjesë aktive të rendit kushtetues dhe si udhërrëfyes politik për institucionet shtetërore. Në këtë kuadër, Sali përmendi nismën e Qeverisë për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili është propozuar për miratim në Kuvend.
Sipas tij, zhvillimet gjatë 25 viteve të fundit kanë treguar se dialogu, komunikimi, kompromisi dhe respektimi i marrëveshjeve janë themelet mbi të cilat ndërtohet stabiliteti.
“Dialogu nuk nënkupton heqje dorë nga parimet. Përkundrazi, ai është rruga më demokratike për mbrojtjen e tyre”, u shpreh Sali, duke kërkuar që bashkëpunimi dhe partneriteti ndërmjet komuniteteve të vazhdojnë.
Në fjalën e tij, ai e cilësoi mbrojtjen e partneritetit ndëretnik si një interes strategjik për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ministri Sali vlerësoi se suksesi i një shteti multietnik varet nga ndjenja e çdo komuniteti se është i përfaqësuar në mënyrë të barabartë në institucione dhe se mban përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e vendit.
Zëvendëskryeministri i Parë e ndërlidhi gjithashtu frymën e Marrëveshjes së Ohrit me rrugëtimin e integrimit europian. Ai tha se parimi europian “Të bashkuar në diversitet” është në përputhje me filozofinë e marrëveshjes, e cila e themeloi paqen mbi respektimin dhe pranimin e dallimeve.
Në përfundim, Sali deklaroi se brezi i sotëm nuk ka vetëm përgjegjësinë për ta mbrojtur Marrëveshjen e Ohrit si një arritje historike. Sipas tij, ajo duhet të zhvillohet më tej nëpërmjet institucioneve më efikase, rritjes së besimit mes komuniteteve dhe krijimit të një shteti që përmbush standarde të larta europiane.
“Ky përvjetor le të mos mbetet vetëm një rikujtim i arritjeve tona, por të shërbejë edhe si angazhim për atë që duhet të ndërtojmë në të ardhmen”, përfundoi Ministri Sali./INA/
