Autoritetet serbe kanë ndaluar një tjetër qytetar të Kosovës teksa po kalonte kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, ka njoftuar avokati Arianit Koci.
Të lidhura
None found
Personi i ndaluar është Dukagjin Maxhuni nga Beci i Gjakovës, i lindur më 10 maj 1979, sipas të dhënave të bëra publike nga Koci.
Maxhuni fillimisht është mbajtur për verifikim. Disa orë më vonë, familjarët janë informuar se ai ishte dërguar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij po vazhdonin.
Koci ka deklaruar se ende nuk dihen rrethanat dhe mbështetja ligjore e këtij ndalimi. Ai ka shtuar se po kontrollon informacionet dhe po e ndjek rastin nga afër.
“Ndërkohë që politika jonë merret me fajësime e përplasje të pafundme, Serbia po vazhdon me arrestimin e qytetarëve tanë”, ka shkruar Koci.
Avokati u ka kërkuar institucioneve që të tregojnë kujdes ndaj qytetarëve të Kosovës, ndërsa ka bërë të ditur se opinioni do të informohet për çdo zhvillim të ri në këtë rast.
