Harry Kane nuk është i rëndësishëm për Bayern Munich vetëm për aftësinë e tij për të realizuar gola. Manuel Neuer ka vënë në pah ndikimin e gjerë që sulmuesi anglez ka në lojën e skuadrës bavareze.
Të lidhura
None found
Duke folur në një intervistë për Sky Sport, portieri gjerman e cilësoi Kane si një futbollist vendimtar, si për shifrat mbresëlënëse përpara portës, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të ekipit.
“Nuk ka dyshim se ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Të gjithë e njohin bilancin e tij të golave me ne dhe vlerën e madhe që sjell në sulm. Megjithatë, ne shohim edhe sa shumë angazhohet për skuadrën, si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në atë defensiv”, u shpreh Neuer.
“Ai nuk heq dorë asnjëherë dhe përpiqet vazhdimisht të kthehet pas topit”, vijoi ai.
Kapiteni i Bayernit nënvizoi gjithashtu zgjuarsinë e Kane në fushë, si dhe aftësinë e tij për t’u krijuar mundësi shënimi shokëve të skuadrës.
“Të gjithë e dinë sa i aftë është në pasime, pothuajse si një quarterback. Ai mund ta dërgojë topin në rrjetë me thuajse çdo pjesë të trupit, ndërsa njëkohësisht është gjithmonë i vëmendshëm ndaj pozicionimit të bashkëlojtarëve”, shtoi Neuer.
Sipas portierit gjerman, përkushtimi dhe karakteri kolektiv i sulmuesit anglez janë cilësi që jo gjithmonë marrin vlerësimin e merituar.
“Ai është plotësisht në dispozicion të ekipit dhe ky element shpesh nënvlerësohet. Natyrisht, vëmendja e të gjithëve shkon te cilësitë e tij brenda zonës, por ne e dimë shumë mirë se çfarë vlere kemi tek ai”, përfundoi Neuer.
