Kryeministri zhvilloi një takim informues me drejtuesit e bashkive që, sipas propozimit të Partisë Socialiste, pritet të bashkohen. Në mbledhje u shpjegua reforma e planifikuar dhe u diskutuan hapat që do të ndiqen më tej.
Duke iu referuar burimeve, gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, raporton se kryeministri Rama ka theksuar se “kjo është një reformë për Shqipërinë dhe jo një reformë për një bashki apo për një tjetër”.
Të lidhura
None found
Rama mësohet të ketë bërë të qartë gjithashtu se “reforma do të ecë përpara”.
Sipas përvojës së krijuar nga Reforma Administrative-Territoriale e vitit 2014, bashkimi i bashkive sjell avantazhe të përbashkëta, duke rritur kapacitetet, përmirësuar shërbimet dhe mundësuar një administrim më efikas.
Edhe bashkimi që përfshin Divjakën dhe Dimalin synon t’u shërbejë të gjithë qytetarëve. Brenda njësisë së re vendore, qytetet do të vazhdojnë të kenë një rol të përcaktuar qartë, ndërsa shërbimet që ofrohen aktualisht do të ruhen.
Një prej garancive kryesore për qytetarët lidhet pikërisht me moscenimin e shërbimeve që sigurohen sot nga bashkitë ekzistuese.
Procesi do të vazhdojë përmes konsultimeve të domosdoshme me bashkitë, komunitetet dhe të gjithë aktorët e përfshirë. Objektivi është krijimi i një organizimi vendor më funksional, më efikas dhe më afër qytetarëve.
Pas dërgimit nga Kuvendi të draftit të hartës së re territoriale në të gjitha bashkitë e vendit, qytetarët kanë zhvilluar protesta në njësitë që parashikohet të shkrihen, ndërsa kundërshtime kanë shprehur edhe këshillat bashkiakë.
Në Poliçan, mbështetës të Partisë Socialiste e kundërshtuan publikisht nismën dhe dogjën teserat e PS-së, ndërsa drejtuesi lokal i kësaj force politike paraqiti dorëheqjen.
Në mbledhje morën pjesë kryetarët e bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Gjirokastër, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë.
