Vizita e senatores amerikane Joni Ernst në Kosovë shërbeu për të krijuar një pasqyrë më të qartë mbi zhvillimet e tanishme politike dhe të sigurisë në vend, bëri të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit të saj, Ernst u takua me përfaqësuesit e institucioneve kosovare. Ajo përshëndeti trupat amerikane nga Iowa në Camp Film City në Prishtinë, vizitoi Camp Bondsteel dhe zhvilloi takime me pjesëtarët e Komandës Rajonale të KFOR-it Lindje dhe të Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan.
Përmes njoftimit të saj, Ambasada amerikane vuri në pah rëndësinë e angazhimeve të senatores gjatë vizitës në Kosovë.
“Takimet produktive të senatores dhanë një panoramë të çmuar të dinamikave aktuale në Kosovë dhe nënvizuan rëndësinë e marrëdhënieve konstruktive ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.”
Sipas Ambasadës, Ernst u ndie e nderuar që pranoi Medaljen Presidenciale të Meritës, e cila iu nda për kontributin e dhënë në fuqizimin e partneritetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Senatorja Joni Ernst e përmbylli vizitën në Kosovë pas takimeve me udhëheqësit qeveritarë të Kosovës, përshëndetjes së trupave nga Iowa në Camp Film City, si dhe vizitës në Camp Bondsteel dhe te pjesëtarët e përkushtuar të Komandës Rajonale të KFOR-it Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan. Senatorja Ernst ishte e nderuar të pranonte Medaljen Presidenciale të Meritës dhe Medaljen për Shërbim të Dalluar. Angazhimet produktive të senatores mundësuan një vështrim të vlefshëm mbi dinamikën aktuale në Kosovë dhe theksuan rëndësinë e një raporti konstruktiv SHBA-Kosovë”, thuhet në njoftim.
Qëndrimi i senatores amerikane në Kosovë u zhvillua në një kohë kur siguria dhe prania e Shteteve të Bashkuara në vend janë vendosur në qendër të debateve politike. Në takimin me Ernst, kryeministri në detyrë Albin Kurti përsëriti kërkesën që Camp Bondsteel të kthehet në një prani të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.
