Drejtimi nga toka i një rrezeje lazeri për nga një avion mund ta vërë seriozisht në rrezik sigurinë e fluturimit.
Kohët e fundit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është regjistruar një shtim i sulmeve me lazer ndaj avionëve gjatë aterrimit dhe ngritjes.
Të lidhura
None found
Sipas paralajmërimit të kontrollorëve të trafikut ajror, veprime të tilla kërcënojnë jo vetëm qindra pasagjerët që ndodhen në bord, por edhe banorët e zonave përreth aeroportit.
Kontrollorët dyshojnë se, në shumë prej rasteve, autorët janë të rinj dhe adoleshentë, të cilët mund të mos e kuptojnë se çfarë pasojash mund të sjellë drejtimi i lazerit nga një avion.
Në trajtimin e kësaj dukurie është përfshirë edhe Policia Kufitare, që ushtron veprimtarinë e saj në hapësirat aeroportuale.
Zyrtarët e policisë bëjnë të ditur se këto raste merren me seriozitet, për shkak se përbëjnë rrezik për sigurinë e aviacionit.
Kushdo që përdor lazer kundër avionëve mund të përballet me pasoja të rënda ligjore, mes të cilave edhe dënimi me burg nga një deri në dhjetë vjet.
Kontrollorët e trafikut ajror raportojnë se në shënjestër të lazerëve kanë qenë edhe helikopterë të KFOR-it. Në disa raste, pjesëtarët e KFOR-it kanë mundur t’i identifikojnë përdoruesit e lazerit dhe, sipas kontrollorëve, kanë ateruar pranë tyre, për të filluar më pas procedurat përkatëse.
