Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, zhvilloi një takim me senatoren amerikane nga shteti i Ajovës, Joni K. Ernst.
Të lidhura
None found
Në këtë vizitë, Ernst shoqërohej nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Prattipati, si dhe nga Gjeneral Major Stephen Osborn, Agjutant i përgjithshëm i Ajovës.
Sipas njoftimit, Jashari e falënderoi senatoren për vizitën dhe vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Republikës së Kosovës dhe FSK-së.
Bisedimet u përqendruan te zhvillimet e tanishme, e ardhmja dhe prioritetet e FSK-së, si dhe te rëndësia e vijimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për situatën aktuale të sigurisë dhe sfidat me të cilat përballen bashkërisht, bëhet e ditur në njoftim.
Në përmbyllje të takimit, komandanti i FSK-së i shprehu mirënjohje senatores Ernst për vizitën dhe kontributin e saj në fuqizimin e bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai nënvizoi nevojën për thellimin e mëtejshëm të partneritetit dhe të marrëdhënieve dypalëshe në sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë.
