Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot një takim me senatoren amerikane Joni Ernst, të cilën e vlerësoi me Medaljen Presidenciale të Meritave për angazhimin e saj ndër vite.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e cilësoi Ernstin mike të dëshmuar të Kosovës dhe zë të rëndësishëm në forcimin e partneritetit mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe nevojën për vijimin e bashkëpunimit të afërt me SHBA-në.
Haxhiu bëri të ditur se dekorata iu akordua senatores Ernst si shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të çmuar në thellimin e marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.
“Kosova do të vazhdojë ta ndërtojë të ardhmen e saj krah Shteteve të Bashkuara, duke e konsoliduar një partneritet me rëndësi të veçantë strategjike dhe historike për vendin tonë”, shkroi Haxhiu.
