Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të ditur bilancin e veprimtarisë për muajin korrik, gjatë të cilit janë arrestuar 11 persona, mes tyre 8 punonjës policie.
Gjatë së njëjtës periudhë, AMP ka përcjellë në Prokurori 54 raste për hetim ndaj punonjësve të Policisë. Shkeljet e referuara lidhen kryesisht me shpërdorimin e detyrës, veprimet arbitrare dhe mosrespektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Të lidhura
None found
Referimet përfshijnë 14 raste të shpërdorimit të detyrës ndaj 15 subjekteve, si dhe 25 raste për veprime arbitrare, dëmtime të tjera me dashje, kanosje dhe vepra të ngjashme. Ndërkohë, 5 raste kanë të bëjnë me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, ndaj 5 subjekteve dhe 1 shtetasi.
AMP ka trajtuar gjithashtu 111 ankesa të paraqitura nga qytetarët. Nga ky total, 15 ankesa janë vlerësuar të bazuara, 62 të pabazuara, ndërsa në 32 raste nuk është provuar ekzistenca e shkeljeve. Për 2 raste janë hapur dosje penale.
Përveç tyre, gjatë korrikut janë administruar edhe 160 ankesa administrative.
Komunikimi me qytetarët është realizuar edhe përmes linjës telefonike, ku janë regjistruar 420 telefonata. Në 253 raste, problematikat kanë qenë brenda fushës së përgjegjësisë së AMP-së, 104 telefonata kanë qenë jashtë kompetencës së institucionit, ndërsa 63 qytetarëve u është dhënë informacion.
Komisioni Disiplinor i AMP-së ka vendosur nisjen e hetimit disiplinor për shkelje të rëndë ndaj 6 punonjësve të Policisë.
Për një punonjës është vendosur mosfillimi i procedurës disiplinore, pasi shkelja e pretenduar nuk është provuar. Ndërkohë, dokumentacioni për 26 punonjës policie dhe 2 punonjës të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit është ende në fazën e shqyrtimit.
Gjatë muajit korrik janë zhvilluar edhe 3 inspektime në strukturat përkatëse, prej të cilave një ka qenë i planifikuar dhe dy të paplanifikuara. Kontrollet kanë synuar verifikimin e mënyrës së ushtrimit të veprimtarisë së këtyre strukturave.
Bilanci i publikuar përmbledh punën e AMP-së gjatë korrikut në fushën e hetimeve penale, procedimeve disiplinore, shqyrtimit të ankesave dhe komunikimit me qytetarët.
