Afro tre mijë vjet pas krijimit të “Odisesë”, ideja e lashtë që lidh mikpritjen me respektin dhe drejtësinë vazhdon të përcjellë një mesazh të fortë për shoqërinë moderne.
Të lidhura
None found
Në epin e njohur të Homerit shfaqet i ashtuquajturi “Ligji i Zeusit”, një parim me peshë të jashtëzakonshme në Greqinë e lashtë. Besohej se kushdo që e shkelte atë mund të ndëshkohej drejtpërdrejt nga perënditë.
Ky rregull përbën edhe një nga motivet kryesore të filmit të ri “Odisea”, me regji të Christopher Nolan. Sipas regjisorit, shumë prej zhvillimeve të historisë mbështeten mbi një ide të thjeshtë, por thelbësore: të panjohurit duhen trajtuar me respekt.
“Ligji i Zeusit” nuk ishte një akt juridik i shkruar, siç janë ligjet bashkëkohore. Ai ishte një sistem normash morale që besohej se mbrohej nga Zeusi, hyjnia supreme e grekëve, dhe përfshinte mikpritjen, mbajtjen e betimeve, drejtësinë dhe mënyrën e sjelljes me njerëzit e panjohur.
Në themel të tij qëndronte “ksenia”. Sipas këtij detyrimi të shenjtë, i zoti i shtëpisë duhej t’i siguronte mysafirit ushqim, një vend për të qëndruar dhe mbrojtje, pa marrë parasysh identitetin apo prejardhjen e tij.
Në një intervistë për “Los Angeles Times”, Christopher Nolan e ka lidhur thelbin e këtij koncepti me atë që në ditët e sotme njihet si “rregulli i artë”.
“Është rregulli i artë: sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty. Pjesërisht sepse një njeri i zakonshëm mund të jetë një perëndi e maskuar, por edhe sepse vetëm kështu një shoqëri mund të funksionojë. Njerëzit duhet të udhëtojnë, të tregtojnë dhe shpesh varen nga mirësia e njerëzve krejtësisht të panjohur”, ka deklaruar Nolan, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, “ksenia” nuk vendoste përgjegjësi vetëm mbi nikoqirin. Edhe ai që pranohej si mysafir duhej të respektonte disa detyrime.
Qëndrimi përtej kufijve të hijshëm, mungesa e respektit ndaj të zotit të shtëpisë ose përfitimi i padrejtë nga bujaria e tij shiheshin si cenim i një norme të shenjtë, ndaj edhe konsideroheshin të denja për ndëshkim.
“Keqpërdorimi i këtij rregulli ka pasoja të tmerrshme. Çdo hakmarrje ka çmimin e vet dhe dhuna është shprehja më e drejtpërdrejtë e saj”, ka shpjeguar Nolan.
Për këtë arsye, një pjesë e madhe e ngjarjeve të përshkruara në “Odise” mund të kuptohen si pasoja që vijnë nga zbatimi ose thyerja e këtij parimi të lashtë.
Figura e mbretit Menelau paraqet një prej modeleve më të qarta të respektimit të “ksenisë”. Kur Telemaku shkon në Spartë për të kërkuar të dhëna rreth babait të tij, Odiseut, mbreti e mirëpret me nderim, e ushqen dhe i jep informacione të vlefshme. Para largimit, ai e përcjell gjithashtu me dhurata.
Për grekët e botës së lashtë, kjo mënyrë e trajtimit të një mysafiri përfaqësonte shembullin ideal që duhej ndjekur.
Në skajin e kundërt qëndron ciklopi Polifem, i cili është një nga figurat negative më të njohura të gjithë rrëfimit. Udhëtarëve që hyjnë në shpellën e tij nuk u ofron strehim apo ushqim, por i sulmon dhe i ha.
Veprimi i Polifemit përbënte një prej shkeljeve më të rënda të “Ligjit të Zeusit”, ndërsa pasojat mbërrijnë shpejt dhe janë të dhunshme. Odiseu e verbon ciklopin dhe as prejardhja e tij si bir i Poseidonit nuk arrin ta mbrojë nga ndëshkimi.
Një tjetër dëshmi e respektimit të këtij rregulli jepet nga Eumeu, një bari i thjeshtë derrash. Pas bredhjeve të gjata, Odiseu kthehet në shtëpi i maskuar si lypës dhe pranohet prej tij.
Eumeu nuk e njeh identitetin e vërtetë të mysafirit, por megjithatë i siguron ushqim, strehë dhe përkujdesje, pa kërkuar asnjë shpërblim. Kjo sjellje e vendos atë mes personazheve më të ndershme dhe fisnike të eposit.
“Odisea” e bën të qartë se fajtorë nuk mund të ishin vetëm nikoqirët. Edhe mysafirët përballeshin me pasoja kur abuzonin me pritjen që u ofrohej.
Kur shokët e Odiseut mbërrijnë në ishullin e magjistares Kirke, ata fillimisht presin të mikpriten, por më pas e shpërdorojnë këtë bujari. Konsumojnë ushqim dhe pije pa masë, ndërsa nuk shfaqin respektin e kërkuar.
Kirke i dënon duke i kthyer në derra, në një skenë që është bërë ndër më të famshmet e mitologjisë greke.
Një ilustrim veçanërisht domethënës i “Ligjit të Zeusit” shfaqet që në nisje të historisë. Telemaku hap shtëpinë për një udhëtar të panjohur, i shërben ushqim dhe vetëm pasi e ka mikpritur e pyet për identitetin.
Më pas bëhet e ditur se vizitori nuk ishte një njeri i zakonshëm, por perëndesha Atena e maskuar.
Kjo e bën mesazhin e “Odisesë” të kuptueshëm edhe sot: askush nuk mund ta dijë me siguri se cilin person ka përballë, prandaj respektimi i të panjohurve shkon përtej mirësjelljes së zakonshme.
Në këndvështrimin e grekëve të lashtë, ky nuk ishte vetëm një standard i sjelljes së mirë. “Ligji i Zeusit” përcaktonte se kush do të fitonte miratimin e perëndive dhe kush do të ndëshkohej prej tyre.
