Një shpërthim në një minibus pasagjerësh në Jaramana, periferi e Damaskut, shkaktoi vdekjen e dy personave dhe plagosjen e 13 të tjerëve të enjten në mbrëmje, sipas raportimeve të mediave shtetërore siriane.
Raportimet e para nga televizioni shtetëror Al-Ikhbariya bënë të ditur se shpërthimi kishte ndodhur brenda mjetit, por në atë fazë nuk u dhanë të dhëna për numrin e viktimave apo rrethanat e ngjarjes.
Të lidhura
None found
Më pas, agjencia shtetërore SANA, duke iu referuar Drejtorisë së Referimeve, Ambulancave dhe Emergjencave pranë Ministrisë së Shëndetësisë, konfirmoi bilancin prej dy viktimash dhe 13 të plagosurish.
Pas shpërthimit, në zonë mbërritën ambulancat, ekipet mjeko-ligjore të Ministrisë së Brendshme, pjesëtarët e Mbrojtjes Civile dhe përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe Arabe Siriane. Automjeti i dëmtuar u hoq me vinç për të mundësuar kryerjen e ekspertizave teknike dhe vijimin e hetimeve.
Deri në momentin e raportimit, Ministria e Brendshme siriane dhe autoritetet e sigurisë nuk kishin bërë një njoftim zyrtar. Gjithashtu, asnjë grup nuk kishte marrë përgjegjësinë për sulmin.
Fotot dhe videot e shpërndara në rrjetet sociale shfaqin minibusin të shkatërruar rëndë, ndërsa mbetje të tij duken të hedhura në rrugë dhe pranë ndërtesave të banimit.
Ende nuk dihet çfarë e shkaktoi shpërthimin. Al-Ikhbariya raportoi se incidenti ndodhi pak kohë pasi sheikët dhe drejtuesit e komunitetit në Jaramana publikuan një deklaratë për unitetin e Sirisë dhe kundërshtuan çdo thirrje që mund të dëmtonte paqen politike në vend.
