Sipas gazetarit të njohur Gianluca Di Marzio, kampionët e Turqisë kanë vendosur në radarët e tyre Gabriel Martinellin, teksa Galatasaray po punon për të përforcuar repartin ofensiv në krahë gjatë kësaj vere.
Të lidhura
None found
Prioriteti i klubit nga Stambolli vazhdon të jetë Rafael Leao. Galatasaray ka hapur bisedimet për yllin e Milanit, por deri tani negociatat nuk kanë shënuar përparim. Klubi italian nuk e ka pranuar ofertën e paraqitur, ndërsa futbollisti portugez ende nuk e ka përcaktuar nëse do të largohet nga “San Siro”.
Pikërisht për shkak të pasigurisë rreth Leaos, drejtuesit turq kanë nisur të analizojnë mundësi të tjera, ku emri i Martinellit është shfaqur si një prej alternativave kryesore.
Profilin e brazilianit Galatasaray e konsideron të përshtatshëm për nevojat e skuadrës, veçanërisht për shkak të shpejtësisë, aftësive në përballjet një kundër një dhe përvojës së tij në Ligën Premier.
Martinelli ka pasur një rol të rëndësishëm te Arsenali gjatë viteve të fundit, por e ardhmja e tij mund të marrë një tjetër drejtim nëse londinezët vendosin të transferojnë një lojtar të nivelit më të lartë për krahun e majtë.
“Topçinjtë” nuk pritet ta lënë të largohet lehtësisht 25-vjeçarin. Megjithatë, një transferim i tij nuk përjashtohet nëse Arsenali arrin të gjejë një zëvendësues më të fortë për atë pozicion.
Planet e klubit anglez janë komplikuar nga vështirësitë për të siguruar Vinicius Juniorin. Transferimi i brazilianit nga Real Madridi po duket gjithnjë e më pak i mundshëm, pasi raportohet se ai është pranë rinovimit të kontratës me klubin spanjoll. Për këtë arsye, ekipet e interesuara duhet të shqyrtojnë emra të tjerë.
Martinelli u transferua te Arsenali në vitin 2019, kur u bashkua nga Ituano, dhe me kalimin e kohës u bë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta.
Braziliani ka zhvilluar më shumë se 200 paraqitje me klubin londinez, duke dhënë kontributin e tij me gola dhe asistime në kompeticionet vendore e evropiane.
