Gjatë tubimit para Kryeministrisë, një aktiviste iu drejtua studentëve me një thirrje për pjesëmarrje, duke i inkurajuar që të përfshihen në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për brezat e rinj.
Ajo ngriti zërin për kushtet problematike në arsimin e lartë, duke përmendur bursat e pamjaftueshme, konviktet në gjendje të mjerueshme dhe një sistem që funksionon në favor të interesave politike.
Të lidhura
None found
“Fjalën e kam për studentët. Ejani të gjithë, që së bashku të ndërtojmë një perspektivë më të mirë për ju dhe brezat që vijnë pas. Studentët nuk pranojnë të mjaftohen me 100 mijë lekë bursë, të jetojnë në konvikte të turpshme dhe të kenë si udhëheqës pedagogë që i shërbejnë pushtetit, jo dijes së mirëfilltë”, deklaroi ajo.
Ajo i ftoi të rinjtë të angazhohen fuqishëm në jetën publike, duke e konsideruar dijen si forcën më të fuqishme për të sjellë ndryshimin e dëshiruar.
“Sot ju keni përballë armën më të fortë, forcën e dijes. Jemi ne që duhet të ndërtojmë të ardhmen tonë. Çfarë kanë bërë këta gjithë këtë kohë? Asgjë tjetër veç shkatërrimi”, theksoi ajo.
Në mbyllje, ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë në krah të studentëve.
“Ftoj qytetarët: bashkë me rininë do ta bëjmë realitet Shqipërinë që duam”, përfundoi aktivistja.
