Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) do ta mbajë mbledhjen e radhës të premten, më 7 gusht 2026. Ndër çështjet që pritet të shqyrtohen është edhe kërkesa e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimet e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.
Të lidhura
None found
Rendi i ditës përmban gjithsej 16 pika, ndërsa kjo çështje është renditur në pikën e nëntë, raporton “Betimi për Drejtësi”. Në mbledhjen e kaluar, të zhvilluar më 24 korrik, shqyrtimi nuk u bë për shkak të mungesës së kuorumit.
Albulena Haxhiu, në cilësinë e u.d. Presidentes, i ishte drejtuar më 19 qershor 2026 kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, me kërkesën që Këshilli të merrte një vendim përfundimtar lidhur me dorëheqjet e paraqitura nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës serb në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Në letrën e saj, Haxhiu kishte paralajmëruar se mbajtja e këtyre pozitave të paplotësuara për një kohë të gjatë cenon sigurinë juridike, vështirëson funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe dëmton efikasitetin e institucioneve përgjegjëse.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e 20 korrikut 2026, e kishte refuzuar tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb në sistemin prokurorial. Pas këtij vendimi, çështja iu përcoll u.d. Presidentes për lirimin e tyre nga detyra.
Një ditë më vonë, më 21 korrik, Haxhiu bëri të ditur se kishte nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, të cilët i kishin paraqitur dorëheqjet në vitin 2022.
Bashkimi Evropian e ka vlerësuar vendimin e KPK-së dhe atë të Haxhiut si veprime në kundërshtim me ligjin.
“BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagimin e BE-së.
