Shtetet e Bashkuara, Irani dhe Omani ndodhen pranë arritjes së një marrëveshjeje paraprake për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, raporton media amerikane Axios, duke iu referuar dy burimeve rajonale dhe një zyrtari amerikan. Sipas saj, Uashingtoni synon që marrëveshjen ta bëjë publike në orët në vijim.
Të lidhura
None found
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të rikthehet “shumë shpejt” në funksion, përndryshe Irani do të “goditet rëndë”.
Fjalët e Trump vijnë në një kohë kur çmimi i naftës ka zbritur në nivelin më të ulët të tre javëve të fundit, i ndikuar nga pritshmëritë për një marrëveshje.
Gjatë një interviste për Fox News, presidenti amerikan foli pasi sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Thesarit Scott Bessent konfirmuan se negociatat kishin avancuar aq sa të krijohej mundësia për rifillimin e trafikut detar.
“Po zhvillojmë diskutime shumë të mira”, u shpreh Trump gjatë një vizite në Kaliforni. Ai këmbënguli se Irani ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit disamujor.
“Mendoj se mund të kemi një marrëveshje sot ose nesër. Nuk e di saktësisht, por gjasat janë që brenda ditës së enjte ta kemi realizuar një marrëveshje të qëndrueshme. Ata thonë që nuk duam të flasim, por pastaj telefonojnë dhe thonë ‘hajde flasim…’. Hormuzi do të jetë shumë shpejt 100% i hapur ose Irani do të goditet fort”, theksoi Trump.
Zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë bërë të ditur se bisedimet po ecin përpara, megjithatë deri tani nuk janë publikuar detaje lidhur me formën që mund të marrë marrëveshja e mundshme.
