Real Madridi është përfshirë në një prej afateve kalimtare verore më intensive në historinë e klubit. Edhe pse ka më shumë se një muaj kohë deri në mbylljen e merkatos, presidenti Florentino Pérez ka finalizuar disa operacione të rëndësishme, ndërsa në vazhdim priten përforcime dhe largime të tjera.
Mungesa e trofeve gjatë sezonit, ndryshimet në pankinë dhe kthimi i Jose Mourinhos kanë nxitur një transformim të madh në zyrat e klubit në Valdebebas. Drejtuesit madrilenë po punojnë për krijimin e një skuadre të re, me objektivin për t’u rikthyer te sukseset.
Të lidhura
None found
Bilanci i deritanishëm përfshin 21 operacione, 100 milionë euro të investuara në transferime dhe 185.5 milionë euro të siguruara nga shitjet. Megjithatë, puna e Real Madridit në treg nuk është mbyllur dhe zhvillime të shumta priten në javët e ardhshme.
Rindërtimi nisi që në maj, kur Arbeloa u largua nga klubi. Më pas, Real Madridi nuk ua vazhdoi kontratat Dani Carvajal dhe David Alabas, ndërsa skuadrën e la edhe Dani Ceballos, ndonëse në marrëveshjen e tij kishte mbetur edhe një vit.
Klubi realizoi gjithashtu disa shitje me peshë. Fran García iu bashkua Betisit për 3 milionë euro plus bonuse, kurse Gonzalo kaloi te Fulham për 40 milionë euro, shumë që mbulon 70 për qind të të drejtave të tij.
Pesë përforcime dhe një investim prej 100 milionë eurosh
Drejtuesit ia kanë besuar Jose Mourinhos udhëheqjen e projektit të ri, ndërsa deri në këtë fazë janë kompletuar pesë afrime.
Marc Cucurella është transferuar nga Chelsea për 55 milionë euro, ndërsa Denzel Dumfries ka mbërritur nga Interi për 20 milionë euro.
Bernardo Silva është bashkuar me Real Madridin si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City, ndërsa në të njëjtën mënyrë është afruar edhe Ibrahima Konaté nga Liverpooli.
Transferimi i pestë është Carlos Espi, për të cilin janë paguar 25 milionë euro te Levante, aq sa ishte klauzola e lirimit të tij.
Kostoja e përgjithshme e këtyre pesë operacioneve arrin në rreth 100 milionë euro.
Yan Diomande dhe Rodri mund të jenë afrimet e ardhshme
Aktiviteti i Real Madridit në merkato pritet të vazhdojë, pasi klubi është pranë sigurimit të dy emrave të tjerë të rëndësishëm, Yan Diomande dhe Rodri.
Bisedimet për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë raportohet se kanë hyrë në fazën përfundimtare. Diomande ka arritur marrëveshje pesëvjeçare me Real Madridin dhe tani duhet të përcaktohen vetëm hollësitë e fundit me RB Leipzigun. Duke përfshirë bonuset, transferimi pritet të ketë një vlerë rreth 120 milionë euro.
Paralelisht po përparojnë edhe negociatat me Manchester Cityn për Rodrin. Mesfushori spanjoll, i shpallur MVP i Kupës së Botës, mund të kushtojë nga 50 deri në 60 milionë euro.
Real Madridi do të investonte rreth 180 milionë euro të tjera nëse të dyja marrëveshjet do të mbylleshin me sukses. Në këtë rast, shpenzimet e përgjithshme për blerje do të ngjiteshin në 280 milionë euro.
Talentet e akademisë mbushin arkat e Real Madridit
Krahas investimeve për futbollistë të rinj, klubi madrilen ka zhvilluar një aktivitet të madh edhe në dalje, veçanërisht përmes shitjes së lojtarëve të akademisë.
Nico Paz është larguar për 60 milionë euro, ndërsa Real Madridi ka ruajtur mundësinë për ta rikthyer. Nga transferimi i Gonzalo Garcias janë siguruar 40 milionë euro.
Edhe kalimi i Víctor Muñoz te Liverpooli ka sjellë 40 milionë euro në arkat e klubit. Álvaro Rodríguez është transferuar te Bournemouth për 25 milionë euro, ndërsa Mario Gila ka shkuar te Milani për 30 milionë euro.
Real Madridi ka përfituar gjithashtu 3.5 milionë euro nga shitja e Mario Martín te Getafe dhe 8 milionë euro nga transferimi i Victor Valdepeñas te Fiorentina.
Duke llogaritur këto marrëveshje dhe disa shitje të tjera, të ardhurat e klubit kanë shkuar në rreth 200 milionë euro.
Futbollistët që mund të largohen
Megjithëse skuadra është përforcuar me disa lojtarë, Real Madridit i duhet të lirojë vende në organikë përmes largimeve të tjera.
Franco Mastantuono konsiderohet kandidati më i afërt për të ndryshuar klub. Për të interesohen disa skuadra të Serie A, mes të cilave Napoli, Milani dhe Fiorentina.
Mundësia e largimit ekziston edhe për Raúl Asencion, i cili renditet si qendërmbrojtësi i pestë në zgjedhjet e Mourinhos. Në listë ndodhet gjithashtu Eduardo Camavinga, që pas rritjes së konkurrencës në mesfushë mund të synojë një përvojë të re në Ligën Premier.
Me transferimet e kryera, shitjet e realizuara dhe bisedimet ende aktive, kjo verë mund të regjistrohet si një nga periudhat me ndryshimet më të mëdha në historinë e Real Madridit.
