Opinioni publik në Greqi është tronditur nga një ngjarje makabre e zbuluar në Mystras.
Të lidhura
None found
Një 55-vjeçar dyshohet se e mbajti trupin e babait të tij të pajetë brenda një frigoriferi për rreth 2.5 vjet, në mënyrë që të vazhdonte të përfitonte pensionin e tij, si edhe atë të nënës së ndjerë.
Rasti doli në dritë pasi autoritetet në Laconia u informuan se 90-vjeçari, i lindur në vitin 1936, nuk ishte parë prej një kohe të gjatë.
Policia kontaktoi gjatë hetimeve djalin e tij 55-vjeçar, i cili deklaroi se i ati ishte larguar dhe po jetonte në Athinë.
Hetuesit kontrolluan vërtetësinë e këtij pretendimi duke komunikuar me motrën e 55-vjeçarit, banuese në Athinë. Ajo u bëri të ditur autoriteteve se nuk e kishte parë babanë prej vitesh dhe se ai kishte jetuar së bashku me vëllain e saj.
Dyshimet e krijuara çuan policinë në një hotel që ishte në pronësi të 55-vjeçarit. Kontrolli u zhvillua në prani të prokurorit, ndërsa objekti, i cili ishte i mbyllur, përdorej prej të dyshuarit si banesë.
Në bodrumin e hotelit, efektivët zbuluan trupin e 90-vjeçarit të vendosur brenda një frigoriferi. Gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua gjithashtu një armë me ajër.
Pas zbulimit, 55-vjeçari u vu në pranga. Gjatë marrjes në pyetje, ai dyshohet se e ka pranuar ngjarjen, duke deklaruar se babai kishte vdekur nga shkaqe natyrore rreth dy vjet e gjysmë më parë.
Sipas dëshmisë së tij, trupin e kishte fshehur në frigorifer për të vijuar marrjen e pensionit të të atit. Ai deklaroi se përfitonte edhe pensionin e nënës së ndjerë, i cili, pas vdekjes së saj, i kalonte si përfitues bashkëshortit, babait 90-vjeçar të të arrestuarit.
Në vendngjarje shkuan një mjek ligjor dhe një ekip nga Zyra e Hetimit Penal të Spartës. Për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes është urdhëruar autopsia e trupit.
Ndaj 55-vjeçarit janë ngritur akuza për dëshmi të rreme, mashtrim të përsëritur dhe shkelje të legjislacionit për armët. Ai pritet të paraqitet para prokurorit, ndërkohë që autoritetet kompetente po vijojnë hetimet.
