Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u ka përsëritur qytetarëve thirrjen për të treguar kujdes dhe për të zbatuar masat mbrojtëse, pasi gjatë këtyre ditëve temperaturat pritet të ngjiten mbi 40 gradë Celsius.
Të lidhura
None found
Sipas rekomandimeve të ISHP-së, nga ora 11:00 deri në 17:00 duhet evituar qëndrimi drejtpërdrejt nën rrezet e diellit, si dhe kryerja e aktiviteteve fizike në ambiente të hapura, sepse në këtë interval rrezatimi diellor arrin intensitetin më të lartë.
Për daljet jashtë këshillohet përdorimi i veshjeve të holla dhe me ngjyra të çelëta, syzeve mbrojtëse dhe një kapeleje me strehë të gjerë. Kur ekziston mundësia, preferohet qëndrimi në ambiente me ajër të kondicionuar, ndërsa personat që duhet të qëndrojnë jashtë duhet të pushojnë shpesh në vende me hije.
Marrja e lëngjeve, sidomos e ujit, duhet të jetë e rregullt dhe të mos shtyhet deri në shfaqjen e etjes. ISHP rekomandon evitimin e alkoolit, sasive të mëdha të kafeinës dhe pijeve tepër të ftohta. Gjithashtu, duhen shmangur ushqimet e rënda, me shumë yndyrë dhe me përmbajtje të lartë kalorike.
Gjatë ditës rekomandohet që perdet dhe dritaret të mbahen të mbyllura, kurse ajrosja e dhomave të bëhet gjatë natës, atëherë kur temperaturat bien. Për të freskuar trupin mund të përdoren kompresa të ftohta ose të bëhet një dush me ujë të vakët.
ISHP tërheq vëmendjen se fëmijët, të moshuarit dhe kafshët shtëpiake nuk duhet të lihen në automjete të parkuara, pasi brenda një kohe të shkurtër temperatura në kabinë mund të rritet deri në nivele të rrezikshme.
Vëmendje e shtuar kërkohet për njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike, në veçanti nga probleme kardiovaskulare, pulmonare dhe neurologjike. Këta persona duhet ta përdorin rregullisht terapinë e përshkruar dhe, nëse vërejnë ndonjë ndryshim në gjendjen shëndetësore, të kontaktojnë pa vonesë mjekun e kujdesit parësor./Telegrafi/
