Projekti për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër ka shkaktuar reagime të ashpra në qytetin verior, ku qytetarë të shumtë dolën në protestë kundër marrëveshjes së arritur në parim mes qeverive të Shqipërisë dhe Serbisë.
Marshimi filloi pranë shtatores së heroit Isa Boletini dhe përfundoi përpara Bashkisë Shkodër. Protestuesit e konsideruan hapjen e konsullatës serbe në këtë qytet një vendim të papërshtatshëm dhe provokues.
Të lidhura
None found
Gjatë tubimit, ata vunë në dukje se Serbia ende nuk ka kërkuar falje zyrtare për krimet e luftës dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sipas tyre, një nismë e tillë diplomatike është e papranueshme.
Qytetarët kundërshtuan edhe marrëveshjen parimore për hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanoc dhe një konsullate serbe në Shkodër.
Ata e cilësuan këtë krahasim absurd, pasi nuk mund të vendosen në të njëjtin plan 54 serbët që jetojnë në Shkodër, sipas censusit të fundit, me 61 mijë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Protestuesit e përshkruan konsullatën serbe në Shkodër si një goditje të rëndë dhe si shkelm mbi gjakun e mijëra shqiptarëve të derdhur për lirinë e Kosovës. Në përfundim, ata paralajmëruan se kundërshtimi ndaj kësaj nisme do të vazhdojë.
