Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e raportuar mbrëmjen e së dielës (2 gusht) në Palasë, ku u denoncua se nga një mjet lundrues dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri.
Menjëherë pas njoftimit, policia thotë se u vu në ndjekje të mjetit lundrues, duke bërë të mundur shoqërimin e 4 personave që ndodheshin në bordin e jahtit.
Të lidhura
Në bord ndodheshin katër persona, të identifikuar me inicialet B. C., 31-vjeç, L. H., 31-vjeç, A. K., 49-vjeç dhe P. Gj., 60-vjeç, të cilët u shoqëruan nga policia.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në jaht dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, nuk u gjet asnjë armë apo send tjetër i kundërligjshëm.
“Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes”, njofton policia.
Njoftimi:
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31-vjeç, L. H., 31-vjeç, A. K., 49-vjeç dhe P. Gj., 60- vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

