Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan mbrëmjen e kaluar nga një jaht që lundronte në Palasë, ku katër personat që ndodheshin ne bord, u ndaluan pas rreth 2 orësh operacion.
Bëhet me dije se mes personave të shoqëruar janë Astrit Gjonpalaj, ish-punonjës policie dhe pronar i kompanisë “Globus Travel”, si edhe Astrit Meta, shtetas shqiptaro-amerikan.
Të lidhura
Këta të fundit, dyshohet se kanë qenë në jaht në momentin kur janë dëgjuar të shtënat.
Gjatë ndjekjes, dy nga personat që ndodheshin në bordin e jahtit, kanë tentuar të afroheshin në breg me gomone për t’i ikur policisë, por pasi kanë parë praninë e efektivëve në tokë, janë kthyer sërish drejt jahtit.
Ndërsa, njëri nga personat e tjerë, është hedhur në det, por është kapur më pas nga Policia Kufitare.
Jahti fillimisht kishte marrë drejtimin për në Greqi, por më pas ndryshoi kurs. Në përpjekje për t’i ikur autoriteteve, jahti ka fikur dritat dhe ka vijuar lëvizjen në det, por pas dy orësh ndjekjeje, mjeti u ndalua dhe u dërgua në Portopalermo për kontroll të imtësishëm.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur pushues që ndodheshin në zonë njoftuan policinë se nga një jaht ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë ngritur me urgjencë në këmbë dhe i janë vënë në ndjekje mjetit lundrues në hapësirën detare.
Mjeti lundrues iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga forca të shumta policie, por ende nuk është bërë e ditur se çfarë është gjetur në bord.
Megjithatë ende nuk dihen motivet e të shtënave dhe as kush ka qëlluar me armë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes.

