Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë interes, vullnet dhe gatishmëri për të arritur gjatë javës së ardhshme një marrëveshje mbi krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Të lidhura
None found
Bisedimet ndërmjet LVV-së dhe LDK-së pritet të vazhdojnë pasi u ndërprenë muajin e kaluar për shkak të një votëbesimi të brendshëm partiak. Kryetari i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku, e kaloi këtë proces gjatë kësaj jave.
Të shtunën vonë, Kurti u pyet se kur do t’i rifillojë takimet me Abdixhikun, ndërsa po afrohet seanca konstituive e Kuvendit, e parashikuar për 6 gusht. Ai tha se këto ditë do të shfrytëzohen për t’u përgatitur sa më mirë për nisjen e seancës që duhet t’i konstituojë institucionet e legjislaturës së 11-të.
Pas një aktiviteti të partisë së tij në Prishtinë, të organizuar për mikpritjen e mërgimtarëve, Kurti i tha Ekonomia Online se rezultati ende nuk mund të parashikohet, por përpjekjet nuk do të mungojnë. Sipas tij, ekzistojnë interesimi, vullneti dhe gatishmëria, ndërsa gjithçka do të bëhet e qartë javën e ardhshme.
Po të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se në kuvendin partiak të mbajtur të enjten ishte arritur pajtim që LDK-ja të bashkëpunojë me partinë në pushtet për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Përpara një marrëveshjeje të mundshme me LVV-në, LDK-ja ka përcaktuar disa parime. Ato përfshijnë një marrëveshje për të gjitha institucionet – Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën – ose për asnjërin prej tyre, si dhe agjendën shtetërore, politikat sektoriale, programet qeverisëse, interesin e vendit dhe shpërndarjen e përgjegjësive.
Haziri tha për REL-in se këto tri parime e bashkojnë Grupin Parlamentar të LDK-së dhe se Kuvendi i partisë ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Sipas tij, mënyra se si do të përfundojë kjo kërkesë tashmë varet nga negociatat me LVV-në.
Kurti, subjekti politik i të cilit doli fitues në zgjedhjet e 7 qershorit, duhet të arrijë marrëveshje me opozitën për të garantuar zgjedhjen e presidentit të ri dhe për t’i dhënë fund krizës së zgjatur politike dhe institucionale.
LVV-ja siguroi 53 mandate. Duke llogaritur edhe bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe, të cilat kanë 10 ulëse, pritet që ai t’i ketë së paku 61 votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, që votimi për presidentin e Kosovës të konsiderohet i vlefshëm, në Kuvendin prej 120 deputetësh duhet të jenë të pranishëm 80 ligjvënës.
Nëse arrihet marrëveshje me LDK-në, e cila fitoi 18 vende, numri i votave do të shkonte në të paktën 81. Kjo do të mjaftonte për zgjedhjen e presidentit të ri, me kusht që së paku 80 deputetë të qëndrojnë në sallë.
Për këtë arsye, çështja e presidentit pritet të zërë vendin kryesor në diskutimet ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut.
A do të ishte e mjaftueshme një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së?
Njohësit e skenës politike vlerësojnë se zhvillimet e fundit brenda LDK-së, së bashku me qëndrimet e përgjithshme të partive politike, nuk ofrojnë shenja të sigurta dhe premtuese për krijimin e institucioneve të reja.
Sipas tyre, diferenca e vogël ndërmjet votave pro dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut si kryetar dëshmon sërish se brenda LDK-së ka ndarje të thella mes dy kampeve.
Rrahman Paçarizi, analist dhe profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se situata nuk qartësohet nga deklarata e Hazirit, sipas së cilës LDK-ja do të synojë marrëveshje me LVV-në nëse kjo e fundit i respekton parimet e shpallura.
Sipas Paçarizit, kjo deklaratë shërben më shumë për të ndërtuar narrativën se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të shihet si penguese e formimit të institucioneve.
Ai vlerëson se ka pak mundësi që kryetari i LDK-së dhe kampi i pakënaqur me të brenda partisë të gjejnë një formulë që do të krijonte një qëndrim të përbashkët të të 18 deputetëve për një marrëveshje të mundshme me LVV-në.
Edhe analisti Artan Muhaxhiri tha se përplasjet e brendshme në LDK, pavarësisht se Abdixhikut iu rikonfirmua mandati në drejtimin e partisë, tregojnë se një marrëveshje me LVV-në nuk do ta siguronte mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të këtij subjekti në Kuvend.
Muhaxhiri theksoi se Abdixhikut, së paku, i mungon përkrahja e gjashtë ose shtatë deputetëve krahasuar me numrin e përgjithshëm. Sipas tij, detyra e vetme e kreut të LDK-së është ta ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe figurave shumë të rëndësishme të partisë, të cilat kundërshtojnë mënyrën e tij të udhëheqjes.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga konstituimi i Kuvendit, organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi duhet të mbajë zgjedhje të reja.
Nëse Kosova do të shkonte përsëri në zgjedhje, ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që prej fillimit të vitit 2025. / REL
