Një tjetër shtetas i Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe, bëri të ditur avokati Arianit Koci.
Të lidhura
None found
Bëhet fjalë për Mentor Mustafën, 44 vjeç, nga fshati Jasenovik i Komunës së Novobërdës. Ai u ndalua të shtunën në mbrëmje, rreth orës 22:30, në pikëkalimin kufitar mes Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa po udhëtonte me autobus nga Stuttgarti për në Kosovë.
Fejzullah Mustafa, vëllai i tij, ka deklaruar se autoritetet serbe e kanë arsyetuar ndalimin me një letërnjoftim të dëmtuar.
Koci tha se informacionin për rastin e kishte marrë pas mesnate. Sipas tij, menjëherë pas njoftimit ka nisur përpjekjet për të sqaruar rrethanat e ndalimit dhe për t’i siguruar Mustafës ndihmën e nevojshme juridike. Avokati theksoi se do të përdorë të gjitha mundësitë dhe kompetencat e tij që çështja të zgjidhet sa më shpejt.
Postimi i plotë:
Një tjetër qytetar i Kosovës është ndaluar nga autoritetet e Serbisë.
INFORMATË PËR PUBLIKUN
Autoritetet kufitare serbe ndaluan mbrëmë, rreth orës 22:30, shtetasin e Republikës së Kosovës Mentor Mustafa, 44 vjeç, nga fshati Jasenovik i Komunës së Novobërdës. Ndalimi ndodhi në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
Kur u ndalua, Mustafa po udhëtonte me autobus nga Stuttgarti në drejtim të Kosovës, i shoqëruar nga vëllai i tij, Fejzullah Mustafa.
Vëllai i tij, i cili ishte i pranishëm gjatë ndalimit, ka deklaruar se autoritetet serbe i kishin thënë se masa lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.
Për këtë ngjarje jam informuar pas mesnate.
Sapo mora njoftimin, nisa angazhimin për të hedhur dritë mbi rrethanat e ndalimit dhe për t’i ofruar ndihmën juridike që i nevojitet. Do të vijoj të ndërmarr çdo hap që është brenda kompetencave dhe mundësive të mia, me synimin që ky rast të marrë zgjidhje sa më shpejt.
Asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet ta ndiejë veten të braktisur kur has vështirësi jashtë vendit. Brenda mundësive të mia, do të qëndroj pranë qytetarëve tanë dhe do të punoj që ata të marrin ndihmën e nevojshme.
