Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi pas deklaratës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se disponon informacione sipas të cilave Gjykata Kushtetuese ka iniciativa për rihapjen e rasteve të Tribunalit të Hagës, përfshirë edhe aktakuzën ndaj Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Ahmeti theksoi se rikthimi i plagëve të vjetra është më i dhimbshëm se krijimi i një plage të re.
Të lidhura
None found
OVL e UÇK-së deklaroi se kundërshton kategorikisht çdo përpjekje për të hapur procese të reja të Hagës kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Sipas organizatës, bëhet fjalë për manovra të revizionizmit politik, të cilat synojnë ta paraqesin si kriminale një luftë të drejtë çlirimtare dhe të dëmtojnë bazat e Marrëveshjes së Ohrit.
“Luftëtarët shqiptarë paguan çmimin që solli dinjitet, barazi dhe stabilitet. Plagët e së kaluarës nuk duhet të preken me synimin për të goditur vlerat e luftës ose për të destabilizuar rajonin.
Qarqet shoviniste të Maqedonisë së Veriut nuk duhet të përpiqen ta shtrembërojnë historinë për interesat e tyre politike”, thuhet në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
