Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, deklaroi se respektimi i mjedisit duhet të jetë pjesë e detyrueshme e çdo organizimi publik.
Të lidhura
None found
Pacolli bëri të ditur se është miratuar një vendim që përcakton rregulla të qarta dhe masa të detyrueshme për festivalet, koncertet dhe aktivitetet e tjera publike, me synim ruajtjen e mjedisit.
“Sipas vendimit të ri, organizatorët duhet të kujdesen për menaxhimin e duhur të mbeturinave, pastrimin e plotë të hapësirave, respektimin e niveleve të lejuara të zhurmës, si dhe mbrojtjen e ajrit, ujit dhe natyrës”, shkroi ajo në “Facebook”.
Ajo sqaroi se, për veprimtaritë që mund të kenë ndikim më të madh, komunat do të kenë të drejtë të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës së përdorur.
“Ky vendim vendos një nivel të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë. Jeta kulturore dhe aktivitetet argëtuese duhet të zhvillohen paralelisht me ruajtjen e mjedisit. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, pasi një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave të ardhshëm”, u shpreh Pacolli.
