Evropa rrezikon të përjetojë një nga sezonet më shkatërruese të zjarreve pyjore në historinë e saj, teksa një agjenci e Bashkimit Europian paralajmëron se niveli i rrezikut mund të shtohet ndjeshëm në ditët e para të gushtit.
Aktualisht, vatra zjarri janë regjistruar në disa shtete europiane, mes tyre Italia, Portugalia, Franca dhe Spanja. Gjendja më e rëndë vijon të paraqitet në Francë dhe Spanjë.
Të lidhura
None found
Maria Zoubert, drejtoreshë e Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave të BE-së, ERCC, e cilësoi situatën si “shumë të vështirë”, veçanërisht në territorin francez.
Sipas Sky News, po rritet shqetësimi se gjatë ditëve të ardhshme mund të shfaqen vatra të reja në Greqi, Itali dhe Europën Qendrore. Alarmi është shtuar ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen në disa vende të kontinentit, kurse vdekja e dy zjarrfikësve në një zjarr në Rethymno të Greqisë ka marrë vëmendje ndërkombëtare.
Zoubert paralajmëroi se kriza mund të përshkallëzohet në të gjithë kontinentin në fillim të gushtit, nëse zjarret që po digjen aktualisht në Portugali dhe Spanjë nuk vendosen nën kontroll.
Sipas saj, viti 2026 mund të bëhet sezoni më i rëndë i zjarreve pyjore që ka njohur Evropa, duke kapërcyer edhe rekordin e vendosur vitin e kaluar. Reshjet e dendura të dimrit dhe pranverës nxitën zhvillimin e bimësisë, e cila u tha më pas nga temperaturat e larta të verës dhe krijoi sasi të konsiderueshme materiali të ndezshëm.
Ndërkohë, në jugperëndim të Turqisë, një zjarr i përmasave të mëdha pranë një destinacioni turistik bëri që autoritetet të ndërprisnin përkohësisht qarkullimin në autostradën që lidh Fethiyen me Antalian.
Flakët nisën në një zonë rurale të provincës Mugla dhe më pas përfshinë një sipërfaqe pyjore, duke vënë në rrezik zonat përreth.
