Rrugëtimi evropian i Dukagjinit ka marrë fund, pasi skuadra nga Klina u mposht bindshëm nga Lugano në Hajvali.
Të lidhura
None found
Pas paraqitjes solide dhe humbjes minimale 0-1 në takimin e parë, Dukagjini nuk arriti të rivalizonte në ndeshjen e kthimit, ku ekipi zviceran dëshmoi epërsi të dukshme në cilësi dhe triumfoi 1-5.
Luganos i mjaftuan vetëm gjashtë minuta për të kaluar në avantazh. Behrens kontrolloi një pasim të gjatë dhe e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë.
Rezultati u dyfishua tri minuta më vonë, kur Dos Santos shënoi pas asistimit të Zanottit në minutën e nëntë.
Dukagjini reagoi menjëherë me golin e bukur të Maliqit në minutën e 10-të, por Behrens realizoi sërish në minutën e 36-të, duke ia rikthyer Luganos epërsinë prej dy golash.
Edhe pas pushimit, skuadra zvicerane vazhdoi të ishte më këmbëngulëse. Goli i katërt erdhi në minutën e 51-të nga autogoli i Egzon Sinanit.
Behrens vulosi rezultatin përfundimtar dhe plotësoi het-trikun në minutën e 58-të, pasi u asistua nga Bislimi.
Lugano siguroi kështu kalimin në fazën tjetër, ndërsa Dukagjini tashmë do ta përqendrojë vëmendjen te elita e futbollit kosovar, me objektivin për të siguruar sërish pjesëmarrjen në Evropë edicionin e ardhshëm.
