Këtë të hënë, masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të zhvillohet protesta e radhës qytetare, në të njëjtën ditë me seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni.
Në zonën përreth Parlamentit janë vendosur autobotë me ujë, barriera metalike dhe një gardh i gjerë policor, ndërsa dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Të lidhura
None found
Në rreshtin e parë policorë ndodhen forcat “Shqiponja” dhe FNSH.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të mblidhen në orën 08:00 përpara Kuvendit, duke e cilësuar protestën si një reagim ndaj asaj që e konsiderojnë shkëputje të institucionit nga interesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Tubimi i kësaj të hëne shënon ditën e 58-të të protestave qytetare, të cilat kanë vijuar pa ndërprerje, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë edhe pas përfundimit të sesionit parlamentar.
Ashtu si në protestën e 23 korrikut, edhe këtë herë autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie për të shmangur incidentet dhe për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit.
Protesta zhvillohet në një moment simbolik, kur Kuvendi pritet të mbyllë punimet e sesionit parlamentar, ndërsa qytetarët protestues synojnë të përcjellin mesazhet e tyre kundër klasës politike dhe funksionimit të institucioneve.

