Gjatë një ceremonie ku u graduan 130 oficerë të rinj të Forcave të Armatosura Serbe, Presidenti Aleksandar Vuçiq ripohoi pretendimet e tij për Kosovën dhe bëri thirrje për zgjerimin e fuqisë ushtarake të vendit. Në adresimin e tij, ai theksoi se Kosova i takon Serbisë “sipas Kushtetutës dhe drejtësisë hyjnore”, duke i nxitur oficerët e sapodiplomuar që të mbrojnë atë që e përshkroi si “të shenjtë”.
Të lidhura
None found
Këto pohime kanë sjellë reagime të forta, duke u parë si zgjatje e qëndrimit zyrtar të Beogradit ndaj Kosovës dhe vijnë pikërisht në momentin kur dialogu ndërmjet palëve synon shtensionimin e situatës dhe normalizimin e marrëdhënieve rajonale.

Valdet Hoxha, njohës i çështjeve të sigurisë, konsideron se Aleksandar Vuçiq po i qëndron besnik një linje politike që minon stabilitetin në Ballkan, duke ndërthurur angazhimin në procesin e bisedimeve me një gjuhë provokuese kundrejt Kosovës. Në një prononcim për “Bota sot”, Hoxha thekson se incidentet në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc janë dëshmi se retorika e tillë nuk guxon të injorohet.
Sipas Hoxhës, Vuçiq udhëheq në mënyrë autokratike, duke ndjekur gjurmët e Sllobodan Millosheviqit, por me një taktikë edhe më dinake. Ai merr pjesë në dialog duke firmosur marrëveshje të ndryshme dhe duke u paraqitur si bashkëpunues, ndërkohë që në anën tjetër mban gjallë një frymë luftënxitëse përmes deklaratave kundër pavarësisë së Kosovës dhe fabrikimit të historive për rrezikimin e komunitetit serb atje. Ai shton se rastet e sulmeve terroriste në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, të kryera nga grupe të financuara, të stërvitura dhe të organizuara në Serbi, konfirmojnë seriozitetin e kërcënimit, siç e kanë vërtetuar hetimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë.
Hoxha thekson një të vërtetë të ditur: Serbia ruan ambiciet e saj territoriale ndaj Kosovës. Ai argumenton se as elita politike, as politikat hegjemoniste e gjenocidale, e as oreksi për spastrim etnik në Kosovë nuk kanë ndryshuar në Beograd. Për këtë arsye, sipas tij, Kosova duhet të tregohet tejet e matur në dy fronte. Së pari, duke rritur aftësitë e veta mbrojtëse përmes një ushtrie të modeluar mbi standardet e NATO-s dhe duke krijuar një koncept të “Mbrojtjes së Zgjuar” me partnerë si Shqipëria, Kroacia dhe Bullgaria. Së dyti, duke forcuar aleancat dhe duke harmonizuar strategjitë e mbrojtjes jo thjesht me Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik, por edhe me Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian që ishin pjesë e çlirimit dhe ndërtimit shtetëror të Kosovës.
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Muhamet Racaj, ekspert për sigurinë, mbrojtjen dhe gjeopolitikën, shprehet se fjalët e Vuçiqit janë element i një tregimi politik që ka për qëllim ta lërë të pazgjidhur problemin e Kosovës dhe ta përdorë atë për interesa të brendshme dhe të jashtme serbe. Ai paralajmëron se kjo sjellje rrit tensionet dhe dëmton si dialogun ashtu edhe stabilitetin në rajon.

Racaj vlerëson se deklaratat e Presidentit serb gjatë gradimit të oficerëve nuk janë thjesht retorikë e zakonshme, por pjesë e një vazhdimësie që kërkon ta mbajë çështjen e Kosovës të gjallë si mjet politik. Sipas tij, kjo përplasje me frymën e dialogut, me konceptin e fqinjësisë së mirë dhe me qëllimin për stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor. Kur një president i paraqitet trupës së re të ushtrisë duke e konsideruar Kosovën tokë serbe dhe duke i ngarkuar forcave të armatosura një mision politik, ai lëshon një sinjal që sfidon hapur sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Kjo nxit mosbesim dhe vë në dyshim sigurinë rajonale, në vend që të promovojë paqen.
Ai gjithashtu argumenton se dialogu kërkon pranimin e realiteteve dhe respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas tij, Serbia nuk mund të shfaqë përkushtim për normalizim marrëdhëniesh, teksa udhëheqja e saj mohon shtetësinë e Kosovës dhe përdor një gjuhë që bie ndesh me procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke gërryer kredibilitetin e të gjithë mekanizmit.
Më tej, Racaj thekson se modernizimi i ushtrisë serbe fiton një nuancë frikësuese kur përcillet me një agjendë politike kundër shtetit fqinj. Kjo gjë është më shqetësuese në një rajon të mbarsur me histori konfliktesh, ku ndjenja e kërcënimit ndikon drejtpërdrejt mbi sigurinë e përgjithshme. Përdorimi i temës së Kosovës në diskursin politik shërben për mobilizim nacionalist dhe për të forcuar pushtetin, duke devijuar vëmendjen publike nga problemet e brendshme. Historikisht, instrumentalizimi i çështjeve kombëtare për interesa politike të brendshme nuk sjell stabilitet, por gjeneron tensione të kota dhe bllokon ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme në rajon.
Në mbyllje, Racaj konkludon se rajoni ka nevojë për një lidership që promovon paqen dhe bashkëpunimin, jo për gjuhë që risjell në vëmendje narrativat e së shkuarës. Stabiliteti rajonal, përfundon ai, mbështetet mbi respektin e ndërsjellë, njohjen e sovranitetit shtetëror dhe bashkëpunimin, dhe çdo deklaratë që minon këto parime rrit pasigurinë dhe komprometon rrugëtimin evropian të gjithë rajonit.
