Përfaqësuesi i partisë Guxo, Agim Rexhepi, ka dalë në mbrojtje të Qeverisë së Kosovës pas prishjes së 11 ndërtimeve pa leje përgjatë bregut të Liqenit të Ujmanit, duke theksuar se sundimi i ligjit nuk është i negociueshëm dhe se institucionet kanë obligim kushtetues për të mbrojtur rendin dhe pronën publike.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për “Bota sot”, ai e konsideroi të papranueshme që Zyra e BE-së në Prishtinë dhe Ambasada Gjermane të përqendrojnë vëmendjen te objektet e shembura në vend që t’i kushtohen zbatimit të ligjit dhe sovranitetit të vendit. Rexhepi theksoi se Qeveria ka detyrë kushtetuese të ruajë territorin, pasurinë shtetërore dhe rendin juridik dhe se askush, pavarësisht etnisë ose përkrahjes politike, nuk qëndron mbi ligjin.
Sipas tij, kur ndërtimet bëhen në shkelje të ligjit ose në zona të mbrojtura, autoritetet kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të veprojnë në përputhje me legjislacionin. Ai shtoi se partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë vite që mbështesin sundimin e ligjit në Kosovë, duhet të përkrahin tani aplikimin e njëtrajtshëm të tij dhe të shmangin krijimin e idesë së standardeve të dyfishta.

Rexhepi nënvizoi se Kosova është shtet sovran dhe demokratik dhe se vendimet e institucioneve të saj, kur bazohen në ligj dhe merren nga organet kompetente, duhet të respektohen. Sundimi i ligjit, tha ai, nuk mund as të negociohet, as të zbatohet në mënyrë selektive.
Në fund, ai shprehu mbështetjen për Qeverinë në çdo hap që mbron interesin publik, pasurinë shtetërore dhe rendin kushtetues, duke argumentuar se fuqizimi i shtetit vjen përmes ligjit, jo përmes tolerimit të shkeljeve. Kosova, përfundoi ai për “Bota sot”, përparon duke mbrojtur sovranitetin, ligjin dhe barazinë e qytetarëve para institucioneve, e cila është rruga e një shteti të pjekur evropian.
Ky reagim erdhi pasi Bashkimi Evropian shfaqi keqardhje dhe shqetësim për mënyrën sesi u zhvilluan prishjet e njëmbëdhjetë banesave në bregun e Liqenit të Ujmanit, të cilat ishin ndërtuar pa autorizim në pronën e administruar nga “Ibër-Lepenci”.
Zyra e BE-së në Kosovë bëri thirrje për ndaljen e menjëhershme të rrënimeve dhe të çdo ndërhyrjeje tjetër, deri në adresimin e duhur të çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e pronës, procesin e rregullt ligjor dhe procedurat gjyqësore në vijim. Në reagimin e saj, BE theksoi se duhet të ndërpriten menjëherë prishjet, dëbimet me forcë apo marrja në zotërim e mëtejshme, për sa kohë që shqetësimet për procedimin e rregullt, proporcionalitetin, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive nuk janë zgjidhur.
