Shpresojmë që në momentin e fundit të na vijë një mesazh për të anuluar, por prapë pranojmë ftesën – pas këtij zakoni rraskapitës qëndron një emocion shumë më i thellë sesa e imagjinojmë.
Të lidhura
None found
Të gjithëve na ka rënë rasti të ngurrojmë të shtyjmë ose të shmangim një takim, nga frika se personi tjetër pret me padurim ose, akoma më keq, nuk ka asgjë tjetër të planifikuar përveçse të kalojë kohë me ne.
Duke e ditur se ai takim ka pesë të madhe për palën tjetër, bëhemi gati pa entuziazëm, duke pritur fshehtazi deri në çastin e fundit një njoftim që anulon gjithçka.
Gjatë takimit, gjetja e temave të përbashkëta bëhet e vështirë. Diskutimi kufizohet në komente për njerëz që njohim nga rrethi i përbashkët ose nga një fazë e shkuar e jetës. Mendimet tona përputhen rrallë, përvojat janë të ndryshme dhe shpesh frenojmë veten për të shmangur debate apo fjalë që mund ta lëndojnë tjetrin.
Pavarësisht kësaj, pesha e detyrimit na çon drejt planifikimit të një kafeje apo dreke të radhës.
Kjo lloj marrëdhënieje, e njohur për shumicën dhe që gjeneron lodhje e faj, tashmë është emërtuar: “guilt-lunch syndrome”, ose sindroma e drekës nga ndjenja e fajit, raporton Telegrafi.
Pse mbetemi në shoqëri nga keqardhja?
Kjo sindromë na prek kur vijojmë të mbajmë lidhje me dikë për motive të gabuara. Shoqërimi me të nuk na gëzon e as nuk na plotëson shpirtërisht, nuk na jep frymëzim apo pasuri emocionale. Marrëdhënia zgjat vetëm nga frika e ndjenjës së fajit që do të na pushtonte po ta largonim nga jeta.
Në skajin tjetër zakonisht gjendet një person që nuk e konsiderojmë më mik të ngushtë, por thjesht një të njohur apo një ish-mik, me të cilin kemi vite që ecim në rrugë të ndara.
Megjithatë, ndiejmë keqardhje për gjendjen e tij të jetës, të cilën ai shpesh e përsërit: ka mbetur pa punë, përjeton vështirësi në zyrë, partneri po e tradhton ose martesa po kalon krizë.
Pa e kuptuar si, shndërrohemi në një lloj shpëtimi për të, një sup ku mund të derdhë lotët. Kjo na bën të ndihemi të detyruar t’i dhurojmë ca kohë tonë.
E keqja është se pala tjetër mund ta perceptojë lidhjen si shumë më serioze, ndërsa faji ynë na lidh pas personave me të cilët, në kushte të tjera, nuk do të kishim krijuar fare miqësi.
Kur kemi përballë dikë që di ta manipulojë dhe ta ushqejë me aftësi ndjenjën tonë të fajit për përfitime personale, durimi ynë sprovohet rëndë. Kjo ndodh sepse shpesh jemi shumë të edukuar për të thënë të vërtetën dhe herë të tjera thjesht na mungon forca për të refuzuar ftesën.
Si të shmangni një takim me takt
Që të vegjël na kanë mësuar të jemi gjithmonë pranë të tjerëve dhe t’ua dëgjojmë hallet me durim. Por shpesh neglizhohet të na kujtohet se kjo s’do të thotë të veprojmë kundër vetvetes dhe ta lëmë veten përherë pas të tjerëve.
Një dozë e shëndetshme egoizmi nuk përbën të metë karakteri. Ajo është një mënyrë për të ruajtur kohën, energjinë dhe paqen tonë shpirtërore.
Nëse nuk kemi dëshirë të takojmë dikë, është plotësisht e pranueshme ta refuzojmë ftesën, edhe kur kjo na vë në pozitë të vështirë. Ndonjëherë zgjidhja më e mirë është të sillemi si me heqjen e një fashoje: shpejt dhe pa ekuivoke.
Natyrisht, nuk ka pse t’i themi çdokujt troç se shoqëria e tij nuk na tërheq. Shpesh mjafton një refuzim i edukuar, por i prerë, që nuk lë shteg për ngulmime të mëtejshme.
Në vend të justifikimeve të koklavitura dhe sajesave që mund të na ngatërrojnë edhe ne, mjafton të pohojmë se jemi të zënë, se ajo datë nuk na shkon ose se për momentin kemi nevojë për pak hapësirë personale.
Sa më e thjeshtë mesazhi, aq më e vështirë të keqkuptohet.
Po ashtu, është thelbësore të çlirohemi nga roli i njeriut që duhet të jetë përherë i mirë, i gatshëm dhe në dispozicion të të gjithëve.
S’ka arsye të shërbejmë si shpatull për të qarë në çdo orë të ditës dhe as jemi të detyruar t’u zgjidhim hallet e të tjerëve thjesht se këtë kemi bërë deri më sot.
Është krejtësisht normale të pranojmë se disa individë thjesht nuk na përshtaten dhe të vendosim se nuk duam t’u dedikojmë më kohën tonë të çmuar të lirë, e cila sidoqoftë është e kufizuar.
