Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në platformat e tij sociale një interpretim të detajuar të të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”, duke u mbështetur në një zbërthim të kryer nga inteligjenca artificiale ChatGPT. Përmes këtij postimi, ai ka dashur të hedhë poshtë pretendimet se ky akt ligjor është konceptuar për të favorizuar investitorë të mëdhenj, kapital të huaj apo figura të caktuara me pushtet ekonomik.
Sipas kreut të qeverisë, thelbi i këtij instrumenti ligjor është formalizimi i pronësisë për komunitetet e zonave malore që prej dekadash e kanë pasur tokën në përdorim, por u mungon dokumentacioni i nevojshëm pronësor. Një nga shtyllat kryesore të ligjit, siç e vë në dukje Rama, është detyrimi për të dëshmuar posedimin faktik të truallit për një periudhë jo më pak se 10 vjet.
Të lidhura
None found
Ai sqaron se nisma është projektuar për të mbështetur familjet që kanë në zotërim të trashëguar kulla, stane, ferma apo sipërfaqe të tjera, por që për shkak të ndërlikimeve historike të regjimit komunist, periudhës së tranzicionit dhe kuadrit ekzistues ligjor, nuk kanë arritur kurrë t’i regjistrojnë. Përmes kësaj rruge, atyre u jepet mundësia për të zhvilluar aktivitete si agroturizmi, bujtinat, bujqësia moderne dhe forma të tjera të ekonomisë lokale.
Duke cituar analizën e ChatGPT-së, postimi i Ramës thekson se akuza se ligji është krijuar për “oligarkë” nuk gjen mbështetje juridike, pasi një individ me kapital të tillë nuk do të kishte nevojë për një mekanizëm që kërkon dëshmi të posedimit dhjetëvjeçar. Subjekti i vërtetë, sipas tij, është banori i Thethit, Vermoshit, Zagorisë ose Lunxhërisë, i cili ka lëvruar tokën e paraardhësve për breza të tërë, por nuk zotëron një titull pronësie të qartë.
Lidhur me kritikën se ligji favorizon investitorët e huaj, sqarimi është po aq kategorik: kërkesa për posedim faktik afatgjatë e përjashton automatikisht një investitor të huaj që sapo ka mbërritur në Shqipëri dhe nuk mund të plotësojë këtë parakusht thelbësor. Rrjedhimisht, ai nuk mund të përfshihet në mekanizmin kryesor që propozon Paketa e Maleve.
Rama argumenton gjithashtu se ideja e favorizimit të “të pasurve” ka një të metë logjike, meqenëse ata që kanë kapital të bollshëm mund të investojnë pavarësisht këtij ligji. Përfituesi real, vijon ai, është familja me një kullë mali apo një fermë të trashëguar por të padokumentuar, e cila deri tani nuk ka mundur të marrë kredi, të ndërtojë ligjërisht apo të angazhohet në agroturizëm, dhe shpesh nuk mund t’ua sigurojë juridikisht pronën fëmijëve të vet.
Lidhur me çmimin simbolik prej 1 euro, kryeministri sqaron se shteti nuk synon të shesë tokë për të arkëtuar para, por ta kalojë atë me kontratë ligjore poseduesit, duke e hipotekuar më pas pas realizimit të ndërtimit. Ai e krahason këtë me instrumente të ngjashme të përdorura në vende të tjera për të rigjallëruar hapësira të braktisura. Megjithatë, ai sqaron se toka nuk dhurohet dhe nuk kalon në pronësi në mënyrë automatike. Aplikuesit duhet të kalojnë një proces të plotë verifikimi të ligjshmërisë, miratimit të projektit dhe realizimit efektiv të investimit, përndryshe trualli i rikthehet shtetit.
I fundit është edhe sqarimi se Paketa nuk shpronëson asnjë pronë private të regjistruar dhe nuk favorizon vetëm resortet e mëdha. Përkundrazi, diapazoni i projekteve të synuara është shumë më i gjerë, duke përfshirë punishtet artizanale, përpunimin e produkteve vendase, aktivitetet sportive dhe turizmin familjar, duke e vendosur ekonominë e komunitetit në epiqendër të filozofisë së ligjit.
