Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj ka folur për gjendjen e të lënduarve në aksidentin e rëndë në Kroaci ku mbetën të vdekur 10 qytetarë të Kosovës, raporton Gazeta Express.
Në një lidhje direkte në emisionin #gjesi në T7, Ermina Lekaj ka thënë se është duke qëndruar me disa familjar të personave që u aksidentuan dje.
Jam me disa familjar, op nuk e kam pa të arsyeshme që unë të ju tregoj që anëtarët e familjes së tyre e kanë humbur jetën, jam munduar që t’i drejtoj të vjen dikush ta shikojnë si është situatë”, shtoi ajo.
E njejta ka thënë se njëri nga prindërit që po kërkonte fëmijën e tij, nuk ka mundur as ta njeh për shkak se ishte në gjendje të rëndë.
“Sipas të dhënave që kam pas, një baba nuk ka mundur që ta njeh fëmijën e vet në gjendje si e ka pa, drejtpërdrejtë kam fol me babanë e saj, është shumë e dhimbshme nuk kam fjale se si ta përshkruaj”, thotë ajo.
Ajo ka falënderuar qeverinë kroate për ndihmën që ka ofruar.
“Pacientët që janë në trajtim, do të mbesin në trajtim në spitalin e Kroacisë, të gjitha shpenzimet sa i përket pacientëve gjitha këto shkojnë në llogari të shtetit kroat”, shtoi e njejta.
10 persona mbetën të vdekur nga një aksident trafiku që ndodhi dje në autostradën afër Slavonski Brod në Kroaci.
Nga 69 persona sa ishin gjithsej në autobusin që u aksidentua, dhjetëra prej tyre pësuan lëndime të rënda dhe janë duke u trajtuar në spital.
Media kroate INDEX, raporton se 42 persona janë dërguar në spitalin e Slavonski Brod, ndërsa dy të tjerë në spitalin e Novi Grad./GazetaExpress