Presidenti i Tunizisë shkarkoi kryeministrin dhe pezulloi Parlamentin, pas shpërthimit të protestave të dhunshme në të gjithë vendin.
Mijëra protestues, të zemëruar me, siç thonë, keqmenaxhimin e koronavirusit nga ana e Qeverisë, dolën në rrugë të dielën dhe u përleshën me policinë.
Presidenti Kais Saied tha se do t’i marrë përgjegjësitë me ndihmën e një kryeministri të ri, me qëllim “shpëtimin” e Tunizisë.
Ai tha se veprimet e tij janë të ligjshme me Kushtetutën e vendit.
“I kemi marrë këto vendime derisa të kthehet paqja në Tunizi dhe derisa ta shpëtojmë shtetin”, tha Saied.
Kryetari i Parlamentit, Rached Ghannouchi, tha se veprimet e kryeministrit përbëjnë grushtshtet dhe u bëri thirrje mbështetësve të partisë së tij islamike, Ennahda, që të protestojnë.
Dhjetë vjet më parë, revolucioni në Tunizi nxiti protesta pro demokracisë në të gjithë rajonin.
Por, shpresat se kjo do të sjellë më shumë punë dhe mundësi, nuk janë përmbushur.
Një dekadë më vonë, Tunizia lufton me një krizë të thellë ekonomike dhe me një nga shpërthimet më të këqija të koronavirusit në Afrikë.
Numri i rasteve është rritur ndjeshëm javëve të fundit, duke shkaktuar presion të mëtejshëm mbi ekonominë.
Kryeministri Hichem Mechichi e shkarkoi ministrin e Shëndetësisë javën e kaluar, por kjo nuk e zvogëloi zemërimin e qytetarëve./REL