Vdekja e Abderrahim Fakir, një 42-vjeçar me origjinë marokene, gjatë ndërhyrjes së policisë ka shkaktuar protesta masive dhe përplasje në qytetin italian të Bolonjës, ku dhjetëra efektivë mbetën të plagosur.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua të dielën në lagjen Pilastro të Bolonjës. Policia ishte lajmëruar nga një banor, i cili raportoi se Fakiri po shfaqte sjellje të çrregullt dhe po godiste dyert e garazheve. Sipas versionit të policisë, efektivët tentuan fillimisht ta qetësonin dhe më pas përdorën sprej me piper për ta neutralizuar.
Në një video të publikuar nga mediat italiane shfaqen dy policë të ulur mbi Fakirin, ndërsa ai qëndron me fytyrë përtokë dhe u kërkon në mënyrë të përsëritur që të ndalojnë.
Pamjet tregojnë gjithashtu një civil që i mban këmbët, ndërkohë që personeli i ambulancës pret pranë vendit ku po ndodh ndërhyrja. Rreth dy minuta më vonë, Fakiri nuk reziston më dhe humbet ndjenjat. Policët i vendosin pranga në duar dhe në këmbë, përpara se të kuptojnë se ai nuk po reagon.
Disa persona që e panë ngjarjen u thanë mediave italiane se Fakiri ishte në gjendje të rënduar, por nuk kërcënonte askënd dhe nuk kishte armë.
Prokuroria ka nisur një hetim për vrasje të paqëllimshme ndaj oficerëve të policisë dhe punonjësve mjekësorë që ndodheshin në vendngjarje. Prokurorët e Bolonjës po verifikojnë nëse forca e ushtruar nga efektivët dhe veprimet e personelit shëndetësor patën rol në vdekjen e 42-vjeçarit.
Të hënën në mbrëmje, mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të Bolonjës me thirrjen “drejtësi për Abderrahim Fakir”. Protesta filloi paqësisht, por më pas rreth 100 demonstrues u përleshën me policinë dhe u vunë zjarrin dy automjeteve. Autoritetet njoftuan se nga trazirat u plagosën 64 efektivë policie.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se duhet të nxirret në dritë e vërteta për rrethanat në të cilat vdiq Fakiri. Megjithatë, ajo nënvizoi se “asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit”.
“Nuk mund të vdesësh në këtë mënyrë. Ata e vranë pa mëshirë dhe unë dua të vërtetën”, u shpreh motra e tij, Khadija Fakir.
Videon e incidentit e përshkroi si tronditëse edhe kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, i cili organizoi një manifestim solidariteti me familjen e viktimës. Gjatë protestës mori fjalën edhe mbesa e Fakirit, Yossra, duke deklaruar se xhaxhai i saj “meritonte ndihmë, të dëgjohej dhe të trajtohej me dinjitet”.
Pas incidenteve, Lepore deklaroi se pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve ishte tubuar paqësisht për t’i shprehur mbështetje familjes. Sipas tij, përplasjet u provokuan nga një grup i vogël që zgjodhi të përdorte dhunën.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë italiane, Domenico Pianese, doli në mbrojtje të efektivëve. Ai tha se, duke u mbështetur te pamjet e bëra publike, ndërhyrja ishte zhvilluar në përputhje me procedurat. Pianese kritikoi edhe vendimin për organizimin e protestës menjëherë pas ngjarjes, me argumentin se tubimi u krijoi mundësi grupeve radikale të përplaseshin me policinë.
Hetimi për vdekjen e Abderrahim Fakir vazhdon. Për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit, autoritetet pritet të shqyrtojnë edhe regjistrimet e kamerave trupore të policëve.
